Si u strehuan 3 mijë muxhahedinë iranianë në Shqipëri?

Prishtinë | 20 Qer 2023 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Muxhahedinët iranianë të MEK (shkurtim për Mojaheden e-Khalq që do të thotë Muxhahedinët e Popullit), konsiderohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si opozita e regjimit iranian dhe vetë strehimi i tyre në Shqipëri u bë përmes një marrëveshjeje me SHBA.

Grupi i fundit i tyre mbërriti në kampin Ashraf 3 në Manëz të Duërrsit në vitin 2016. Shqipëria i mikpriti pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi u rrezikohej jeta pasi rrëzimit Sadam Hyssein. Vendosja e tyre në Shqipëri u bë vetëm për qëllime humanitare.

Plani i ndërkombëtarëve ishte shpërndarja e këtij grupimi në disa vende, për t’i shpëtuar nga sulmet e vazhdueshme që ndërmerrnin ndaj tyre autoritetet irakiane. Por, asnjë vend tjetër nuk pranoi që të strehojë anëtarët e MEK.

Në 2014, Shqipëria pranoi që të marrë edhe pjesën tjetër të luftëtarëve të MEK të mbetur në Irak, rreth 2 mijë prej tyre.

Në vitin 2016, rreth 3 mijë muxhahedinët ndodheshin në Shqipëri, të shpërndarë në dy qendra strehimi të përkohshme të vendosura në zonën e Kasharit, pranë Tiranës.

Si përfunduan muxhahedinët në Manzë?

Në vitin 2003, kur SHBA ndërhyu ushtarakisht në Irak, MEK ishte në listën e objektivave ushtarake, së bashku me shënjestrat e tjera të ushtrisë së Saddam Hussein. Drejtuesit e MEK u vunë në kontakte me palën amerikane dhe arritën që të nënshkruajnë një marrëveshje, ku muxhahedinët dorëzuan armët.

Kampi “Ashraf” u vu nën kontrollin e amerikanëve, dhe pas verifikimeve në terren, OKB dhe SHBA u dhanë banorëve të këtij kampi statusin e refugjatëve të mbrojtur. Në 2011, SHBA e dorëzon kampin tek qeveria irakiane. Këtu nisin peripecitë më të mëdha për Muxhahedinët.

Brenda këtij viti një seri sulmesh të ushtrisë dhe policisë irakiane lanë pas dhjetra të vdekur dhe qindra të plagosur. Drejtuesit e MEK ngritën zërin dhe kërkuan ndalimin e sulmeve. Qeveria irakiane mohonte se kishte dorë në sulmet në fjalë, por përfshirja e saj u provua nga një hetim i OKB-së. Kapaku u vendos në tetor të 2011, kur në të njëjtën kohë që kryeministri irakian Nuri al-Maliki vizitonte Teheranin, kampi i MEK sulmohej, duke lënë të paktën 10 persona të vrarë.

Me ndërmjetësimin e SHBA dhe të OKB, MEK u zhvendos në një tjetër kamp, të quajtur “Liberty”. Por, kampi i ri ishte i ndërtuar me kapanone, pa një fortifikim dhe këtu drejtuesit e opozitës iraniane deklaronin se ishin më të kërcënuar se kurrë. Ata kërkonin rikthimin në “Ashraf”, që kundërshtohej nga qeveria e Irakut.

Nën presionin e Irakut për t’i larguar, shpesh edhe duke u prerë e reduktuar furnizimin me ujë, ushqime dhe ilaçe bazë dhe të SHBA për të shmangur një katastrofë humanitare u gjet një rrugë e mesme. Rruga e Mesme ishte zhvendosja e anëtarëve të MEK në vende të treta. Fillimisht plani ishte zhvendosja e tyre në disa vende, mes të cilave edhe Shqipëria.

Strehimi i tyre besohet se Shqipërisë i është propozuar në nëntor të 2012, gjatë kohës kur në Tiranë ndalej Hillary Clinton, në atë kohë Sekretare e Shtetit. Berisha njoftonte në fillim të 2013, pak para zgjedhjeve të përgjithshme se Shqipëria kishte pranuar të strehojë 210 muxhahedinë.

Por, asnjë vend tjetër nuk doli vullnetar për të strehuar në territorin e vet anëtarë të një organizate që deri në 2009 ishte në listën e organizatave terroriste të Perëndimit dhe në listën e organizatave terroriste të Iranit dhe Irakut. Vendimi i Shqipërisë u kritikua nga Irani, që tha se Tirana po strehonte elementë të rrezikshëm.

Të ngjashme