Si u sulmua ministri Skënder Hyseni- versioni i Policisë

Prishtinë | 22 Kor 2016 | 15:29 | Nga

Në njoftimin e policisë thuhet se si pasojë e gjuajtjeve me ngjyrë ndaj veturës së ministrit personat e dyshuar ia kanë rrezikuar jetën drejtpërdrejtë ministrit Hyseni si dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Aktivistë të VV-së sulmuan me ngjyrë veturën zyrtare të ministrit Skender Hyseni, siç thanë, në shenjë hakmarrjeje për vendimet e MPB-së për t’ua ndaluar hyrjen në Kosovë të aktivistëve të VV-së nga Shqipëria.

Policia e Kosovës ka dalë me një qëndrim lidhur me rastin e ministrit.

Në njoftimin e policisë thuhet se si pasojë e gjuajtjeve me ngjyrë ndaj veturës së ministrit personat e dyshuar ia kanë rrezikuar jetën drejtpërdrejtë ministrit Hyseni si dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

“Si pasojë e gjuajtjeve me ngjyrë ndaj veturës e cila ishte në lëvizje, personat e dyshuar ia kanë rrezikuar jetën drejtpërdrejt ministrit Hyseni si dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik, pasi që nga pamundësia e pamjes për të drejtuar automjetin nga ngjyra e hedhur në parafango, vetura në fjalë është aksidentuar me dy vetura civile, të cilat gjendeshin në atë lokacion”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Lidhur me rastin ‘sulm ndaj personit zyrtar, dëmtim apo asgjësim i pronës së luajtshme’ të gjitha njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për hetimin dhe trajtimin e rastit në tërësi, duke përfshirë edhe hetimin ndaj personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast”, thuhet më tutje në njoftim.

Në komunikatën e tyre Policia kishte përfshirë edhe veprimet policore të cilat ndërmerren me rastin e hyrje daljeve dhe qëndrimet e dëbimet e shtetasve të huaj në Kosovë.

“Policia e Kosovës i ndërmerr këto veprime bazuar në kriteret dhe procedurat ligjore të aplikueshme në Kosovë”, ka thënë Policia.

Sipas Policisë të huajt të cilët vinë në Kosovë kanë obligim ligjor që ti përmbushin kushtet ligjore për hyrje po ashtu ti respektojnë kriteret ligjore me rastin e qëndrimit apo punësimit në Kosovë.

Ndër kriteret ligjore për hyrje dhe qëndrim të të huajve në Republikën e Kosovës janë, të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi, të posedojë vizë ose leje qëndrimi, (kur kjo kërkohet), të arsyetojë qëllimin dhe qëndrimin e hyrjes, nuk ka ndalesë hyrje, nuk përbën kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik, shëndetin publik, apo nuk kalon tre muaj qëndrim brenda periudhës gjashtë mujore”, thuhet më tutje.

Sipas tyre opinion publik duhet të informohet korrekt mbi veprimet policore e jo siç pretendon Vetëvendosje se Policia është duke vepruar mbi baza politike.

“Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt mbi veprimet policore të cilat kanë qenë në harmoni të plotë me procedurat ligjore që aplikohen, e në asnjë rast të vetëm nuk është vepruar mbi baza politike ashtu siç pretendon dhe deklaron subjekti politik Vetëvendosje”, thuhet në fund të njoftimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme