Ish-kryegjykatës i EULEX-it, Malcolm Simmons, tha se ky mision u ka dhënë dokumente prokurorëve serbë lidhur me rastet e krimeve të luftës.
Në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion ai shtoi se rastet e krimeve të kryera nga serbët në Kosovë, BE-ja ka dashur që të mos hetohen fare pavarësisht se çfarë prova kanë.
“… shumë dokumente të krimeve të luftës i’u janë dhënë prokurorëve serbë. Këto akuza për krime të supozuara të kryera nga persona të etnisë serbe gjatë luftës”.
“Këto dokumente përfshinin informata për këta persona, por edhe të dhënat personale dhe detaje të dëshmitarëve me prejardhje shqiptare. Këto krime janë bërë në Kosovë kundrejt banorëve të Kosovës nga serbë, shumë prej të cilëve ishin edhe qytetarë të Kosovës”.
“Autoritetet serbe në 10 vjet e kanë dënuar vetëm një person, në një mision që ka kushtuar me miliona, miliona euro”.
Simmons tha se Gjykata Speciale është mekanizëm që BE-ja e përdori si zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.
“Pse të mos ketë edhe serbë të akuzuar para Dhomave të Specializuara? Pse BE-ja mendoi se zgjidhja ishte që autoritetet serbe të merren vetë me rastet e krimeve të luftës. E kanë ditur se ata as nuk kanë kapacitete dhe as vullnet që ta bëjnë këtë”.
Simmons ka thënë se ka pasur ndikime politika në rastin “Kleçka” ku ish-komandanti i UÇK-së Fatmir Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte.
Ai ka cituar gjykatësin Charles Smith, që siç thotë Simmons, kishte thënë se duhet dënuar të akuzuarit.
Simmons tha se ishte kërcënuar nga Smith, i cili i kishte kërkuar që të kishte dënime në këtë rast.
Ai tha se çdo aktgjykim që i shpallte të pafajshëm ish-pjesëtarët e UÇK-së shihej si dështim.
“Në katër raste të ndara, ka pasur pretendime se Charles Smith ka provuar të ndërhyjë në gjykime”.
“Mund t’ju ofrojë dokumente për të gjitha katër rastet. Nuk ishte vetëm gjyqtari Smith që donte të ndërhynte”.