Sindikata e QKUK-së del kundër FSSHK-së, përkrahin grevën

Prishtinë | 26 Gus 2022 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Shoqata Sindikale e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka dalë në mbështetje të grevës së përgjithshme të punëtorëve, e cila ka nisur të enjten me vendim të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Kjo shoqatë, përmes një njoftimit për media të premten, ka thënë se kërkesat e tyre për rritjen e mirëqenies së punonjësve shëndetësor, janë injoruar nga qeveria aktuale.

“Duke pasur parasysh parimin bazë të sindikalizmit – solidaritetin, ne anëtarët e shoqates sindikale të QKUK, i përkrahim kërkesat e SBASHK-ut dhe administrates publike. Kërkesat tona për rritjen e mirëqenies së punonjësve shëndetësor dhe ngritjen e cilësisë së shërbimit, në vazhdimësi janë injoruar por kapakun ia ka vu kjo qeveri e cila me paturpësinë më të madhe deklarohet me orientime – Socialdemokrate, ndërsa veprimet e ndërmarrura e rangojnë në qeveri autokratike dhe ekstremisht djathtiste, këtë e dëshmon veprimi ndëshkues i ndërmarrur dje, karshi punonjësve grevist, në vend që të ulet në dialog social për të zgjedhur hallet dhe problemet e shumta të të klasës punëtore, halle këto të cilat janë rritur shumë nga inflacioni gallopant”, thuhet në njoftim.

Shoqata ka komentuar edhe vendimin e së enjtes të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) e cila ka dalë kundër grevës, duke thënë kjo federatë është e kundërligjshme dhe e dalë nga një proces i manipuluar zgjedhor.

“Sa i përket deklarimit të djeshëm të FSSHK e cila është prononcuar kundër solidarizimit me greven e kolegëve të SBASHK-ut dhe administratës publike, kjo udhëheqje e kundërligjëshme, e dalur nga procesi i manipuluar zgjedhor, e ndihmuar nga këta pushtetarë dhe segmente të caktuara të partisë më të madhe opozitare – janë në borxhe politike, andaj nuk mund ta ngrisin kokën dhe ti mbrojnë interesat e klasës punëtore të RKS e besa as të punonjësve shëndetësor. Ne anëtarësia e SHS të QKUK e kemi kuptuar që ligjin mbi pagat, i prolonguar nga kjo qeveri qe një vit, edhe kështu si është dizajnuar është bërë për të mos u miratuar! Edhe nëse miratohet, hyrja në fuqi pas tetë muajsh e bën të pa vlerë sepse ai nuk i zgjidhë problemet sociale”, vazhdon njoftimi.

Sindikata po ashtu ka fajësuar politikbërjen për gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia, duke thënë se ditëve në vijim do të ndërmarrin vendime për manifestimin e pakënaqësisë për këtë gjendje.


Të ngjashme