Shefja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen ka deklaruar se opsioni “hard border”, apo vendosja e pikave të kontrollit kufitar midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës “kurrën e kurrës” nuk do të kthehet shkaku i Brexit-it.
Von der Leyen, e cila vizitoi Dublinin tha se marrëveshje e tërheqjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian (BE) “siguron” këtë.
“Tani presim që protokolli i tërheqjes të zbatohet në tërësi dhe do të investojmë për ta siguruar atë”, u citua shefja e KE-së nga mediat irlandeze.
Ajo theksoi se debati mbi Brexit-in lartësoi sovranitetin kombëtar të Irlandës.
“Ne kemi treguar se për ne, për evropianët, të gjitha vendet anëtare janë të barabarta”, tha von der Leyen, duke shtuar se ata qëndrojnë së bashku kur kërcënohen interesat jetike të një vendi anëtar.
Duke biseduar në një darkë me kryeministrin irlandez, Leo Varadka dhe politikanë të tjerë irlandezë, Von der Leyen përsëriti se partneriteti midis Mbretërisë së Bashkuar dhe bllokut nuk mund të jetë aq i afërt siç ka qenë më parë.
“Sot Irlanda është një vend i fuqishëm dhe i sigurt me ekonominë më të shpejtë në zhvillim në BE dhe me më shumë të punësuar se kurrë më parë dhe e gjithë kjo pavarësisht spektrit të Brexit-it”, tha ajo.
Varadkar, nga ana e tij, tha se vendi i tij do të jetë gjithmonë mirënjohës për solidaritetin e treguar mbi Brexit-in nga KE-ja, instuticionet evropiane dhe vendet e tjera anëtare të BE-së.
Ai po ashtu tha se gjeneratat e kaluara e dinë pse uniteti evropian ishte një ide e mirë, pasi siç tha ai, mposhti komunizmin dhe ndihmoi paqen.
“Por, për të rinjtë sot, tmerret e luftës botërore dhe të këqijat e fashizmit dhe komunizmit nuk janë në kujtesën e tyre, dhe për ta Evropës i duhet një projekt i ri, një arsye për të ekzistuar”, tha Varadkar.
Ai tha se hapi tjetër është arritja e marrëveshjes tregtare me Mbretërinë e Bashkuar.
“Arritja e kësaj marrëveshjeje është thelbësore për bizneset, për vendet e punës, për eksportuesit si dhe për sektorin e bujqësisë. Sepse, çfarëdo problemi që hasim në këtë moment në industrinë tonë të mishit, ato do të ishin shumë më keq nëse fermerët tanë dhe industria jonë e mishit nuk do të kenë qasje në atë treg britanik në vitin 2021”, theksoi Varadkar.
Mbretëria e Bashkuar më 31 janar vendosi që të largohet nga BE-ja, ndërsa një periudhë tranzicioni gjatë së cilës të gjitha marrëveshjet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe bllokut do të mbeten të njëjta, do të fillojë dhe do të jetë efektive deri në fund të vitit.
Mbretëria e Bashkuar vendosi të largohej nga blloku në një referendum në qershor të vitit 2016.