Sipas statistikave të Mujës, Qeveria Kurti ka bërë “mrekulli” në vitin e parë

Prishtinë | 20 Shk 2022 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka bërë një krahasim të buxhetit të vitit 2021 me vitet e kaluara, duke thënë se brenda një viti është rritur për 461 milionë euro.

Muja në “Facebook” ka shkruar se ky buxhet është meritë e e Qeverisë Kurti.

“Të hyrat buxhetore për vitin 2021 ishin rreth 2.2 miliardë euro. Viti i parë i Qeverisë Kurti II ka shënuar një bilanc prej plus 461 milionë euro krahasuar me vitin paraprak. Të hyrat e Kosovës në vitin 2011 ishin 1.3 miliard dhe ishte dashur një dekadë që të hyrat të arrinin 1.7 miliardë (+432 milion euro)”, ka shkruar Muja.

Ai ka shtuar se deri në fund të mandatit, buxheti do t’i ketë mbi 2 miliardë euro shtesë.

“Vendimi për të votuar Lëvizjen Vetëvendosje nënkupton plus 461 milionë në buxhetin e Kosovës për vitin e parë të qeverisjes, potencialisht mbi 2 miliardë euro shtesë deri në fund të mandatit”, ka përfunduar ai.

Ndërsa në një postim tjetër, deputeti Muja ka treguar disa statistika për numrin e punëkërkuesve.

Edhe këtu, Muja i thur lavde Qeverisë Kurti, që sipas tij ” ka bërë histori te treguesit makroekonomikë të vendit”.

“Qeveria Kurti II ka trashëguar 168,458 punëkërkues dhe 387,000 kontribues aktiv në Trust/ATK sipas Agjencisë së Statistikave. Pas një viti qeverisje, në dhjetor 2021 numri i punëkërkuesve ka rënë në 82,042. Numri i atyre që punojnë dhe kontribojnë në Trust/ATK ka arritur në 420,000 apo +32,000 krahasur me vitin paraprak. Qeveria Kurti II gjatë 2021 ka bërë histori tek treguesit makroekonomik të vendit – rritja ekonomike reale 9.9%, dyfishimi i eksportit (nga 380 në 750 milion euro), dyfishim i investimeve të huaja direkte ( nga 250 në 540 milion euro), remitancat (nga 1 nē 1.4 miliardë). Këto lëvizje kanë prodhuar efekte pozitive në tregun e punës. Kosova vazhdon me pasë sfida ekonomike dhe fushata të dezinformimit. Megjithatë, shifrat janë të verifikueshme. Viti i parë i Qeverisë Kurti II do të mbahet mend për rikthim ekonomisë së vendit”, ka shkruar Muja.

Të ngjashme