Sipas Vuçiqit, Kosova është pengesa më e madhe e Serbisë në rrugën për BE

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Problemi më i madh dhe i vetëm i Serbisë në udhëtimin për në BE është Kosova. Kështu ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur u nxit që të komentojë deklaratën e komisarit evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, sipas të cilit Kosova nuk është problemi i vetëm i Serbisë në rrugën e saj për në BE. Vuçiq ndërkaq ka thënë se Hahn ka menduar në sundimin e të drejtës e të ligjit.

“Problemi më i madh i Serbisë në udhëtimin për në BE është Kosova. Por liderët e BE-së këtë nuk duan ta thonë, meqë marrin pikë negativë kur flasin vetëm për Kosovën”, është shprehur ai.

“Jemi në rrugën evropiane, meqë duam të kemi shoqëri demokratike dhe të jemi shtet me rregullim, por problemi ynë më i madh është Kosova”, është shprehur presidenti serb, transmeton Koha.net.

“Bisedimet (me Kosovën – plotësim ynë) janë të rënda, njerëzit duhet ta kuptojnë se shqiptarët janë gjithnjë e më nervoz, sidomos nëse nuk anëtarësohen në Interpol, e nëse hyjnë do të festojnë dhe nuk do të pranojnë kurrfarë kompromisi. Nga ana tjetër e kemi bashkësinë ndërkombëtare, e cila thotë lini kufirin, ndërsa ne duam”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, Serbia dëshiron kompromis me shqiptarët e Kosovës, por tani “shihet qartë se kjo është gati e pamundur për shkak të atmosferës politike edhe në Serbi, edhe në Kosovë. Faktori i jashtëm haptas nuk dëshiron që Serbia e Kosova të arrijnë marrëveshje”, ndërsa ka shtuar se do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ruhet stabiliteti në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme