Situata e zjarreve në Shqipëri, 5 vatra ende aktive

Prishtinë | 11 Gus 2026 | 10:18 | Nga Ekonomia Online

5 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pjesa më e madhe e vatrave është shuar, ndërsa aktualisht 5 vijojnë të jenë aktive dhe një zonë mbahet në monitorim.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale. Në mbështetje të tyre kanë vepruar 158 efektivë të Forcave të Armatosura, me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Mallakastër, pas disa ditësh ndërhyrje intensive, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht. Ndërkohë, në Drenie të bashkisë Patos është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe strukturat operacionale vijojnë punën për neutralizimin e tij.

Situata në Krujë

Në Krujë vijon angazhimi i forcave në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze, zjarri është favorizuar nga era, por sipas autoriteteve aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në Krastë–Halil, në orët e para të mëngjesit u ndërhye edhe nga ajri. Dy helikopterë të Forcës Ajrore u angazhuan për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të mbështetur ekipet në terren. Pas ndërhyrjes, situata u normalizua, ndërsa vijon puna për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në dy vatrat e zjarrit në Krujë janë angazhuar në total 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatra aktive edhe në Tiranë

Në Priskë të Madhe, në bashkinë Tiranë, vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të zjarrit. Edhe në këtë zonë, autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Cikallesh të Kavajës zjarri është shuar plotësisht, ndërsa zona e Dajtit vijon të mbahet nën monitorim.

Edhe në disa qarqe të tjera situata është përmirësuar. Në Vilëz të Kurbinit dhe Kallmet të Vogël në Lezhë, zjarret janë shuar plotësisht. E njëjta situatë raportohet edhe në Goraj–Budishë të bashkisë Malësi e Madhe.

Në malin e Nemërçkës, në bashkinë Përmet, vatra vijon të jetë nën vëzhgim, por nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Autoritetet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri dhe të koordinojnë operacionet në terren, deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive./EuronewsAlbania/

Të ngjashme