“Situata në veri mund të tensionohet”

Prishtinë | 21 Dhj 2016 | 08:10 | Nga

Në një operacion të arrestimeve masive të policëve të Kosovës, kanë përfunduar në pranga 59 policë të trafikut rrugor, kryesisht nga rajoni i Mitrovicës në jug dhe nga veriu poashtu.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka vlerësuar që një numër i tillë nuk është edhe aq i lartë duke marrë parasysh përmasat e mëdha të operacionit.

Ai ka thënë që është e rëndësishme të mos humbet besueshmëria në Policinë e Kosovës, megjithatë arrestimet e lartpërmendura kanë dëshmuar nevojën e menaxhmentit për rritjen mekanizmave mbikëqyrës të brendshëm, dhe kapaciteteve vëzhguese.

“Një proces i tillë e ka dëshmuar edhe njëherë që menaxhmenti e ka të nevojshme të ketë një plan më dinamik në kryerjen e detyrës dhe vlerësimin e performancës, mirëpo në të njëjtën kohë është një veprim që duhet të përshëndetet në kuptimin e parandalimit të zhvillimit të mëtutjeshëm të korruptimit të zyrtarëve policorë” ka thënë Ramadani.

Ligji i ri për komunikacionin rrugor, sipas Ramadanit, mund të jetë shkas i dhënies së ryshfetit, pasi që ky ligj parasheh gjoba të larta, e me këtë lidhet edhe ndjenja e faljes së policëve për shkelësit e ligjit.

Ndër të tjera Burim Ramadani ka vlerësuar që situata në veri të vendit po shkon duke u tensionuar.

“Situata në veri nuk është e qetë në kuptimin e plotë të fjalës. Është një situatë që po shkon kah tensionimi, veçanërisht përmes disa veprimeve të fundit duke filluar prej luginës së diellit e deri tek muri. Vlen të theksohet që serbët në veri jetojnë totalisht jetë paralele ndaj pjese tjetër si dhe prezenca e organizatave kriminale në veri është e fuqishme” ka thënë Ramadani. (KlanKosova)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme