Viti 2019 nuk po konsiderohet si vit i ekonomisë dhe i zhvillimit për Kosovën. E në këto rezultate po llogaritet se ndikoi gjendja politike në vend dhe procesi zgjedhor.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se situata e pritjeve politike ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Rukiqi potencoi se mosformimi i institucioneve po ndikon në konfidencën e bizneseve si dhe po ngadalëson investimet vendore e të huaja.
“Ne kemi pasur zhvillim pozitiv si nga aspekti i të hyrave, i bashkëpunimeve me donatorët si dhe shërbimeve që kemi ofruar për bizneset. Kjo është reflektuar pastaj edhe në kënaqshmërinë e anëtareve tonë me punën tonë. Vitet zgjedhore nuk janë vitet më të mira për ekonominë duke marrë parasysh zgjatjen e shumtë të pritjeve para zgjedhjeve e pas zgjedhjeve e deri të krijimi i institucioneve. Kjo po ndikon në konfidencën e bizneseve, në besueshmërinë, në të berit biznes në vend dhe po ngadalëson ritmin e investimeve. Nuk e konsiderojmë si vit që ka arrit me qenë vit i ekonomisë dhe i zhvillimit”.
“Ne fazën e parë të vitit kemi shtyrë shumë iniciativa legjislative përfshirë shumë ndryshme të cilat kanë qenë të parapara për pjesën e legjislativit. Ajo që ka qenë e varur nga pjesë ekzekutive. Në pjesën e dytë të vitit ka stagnim edhe të vet parlamentit duke mos pasur mundësi për mos miratimin e ligjeve”, tha Rukiqi.
Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se qeveria e re do ta ketë të vështirë të bëjë hapa pozitiv.
Ai theksoi se nuk duhet të ketë vetëm përmirësim po ndalim i gjërave të trazuara në ekonomi, nëse jo kjo qeveri do të veproj më keq se sa dy qeveritë e fundit.
“Jam i shqetësuar me qasjen e shumë ekspertëve të ekonomisë ose të ashtuquajturve analistë që për serviliten e nuk e thonë të vërtetën. Të gjejë dikush arsye dhe të thotë që kjo qeveri apo ky vit ka qenë i suksesshëm ekonomikisht është turpi më i madh që mund të ndodhë në Kosovë, në qoftë se e kemi këtë mungesë të disiplinës financiare, rënie të investimeve të huaja direkte, në qoftë se kemi një balancë tregtar enorm negativ në qoftë se kemi këtë imazh që është në pikën zero që nga vitit ’99.
“Mos të mendoj qeveria aktuale ose proceset ekonomike të vitit 2019 që mund të kalojnë dhe mund të manipulohet me popull. Dua të besoj që qeveria e ardhme do ta ketë shumë të vështirë që të bëjë hapa pozitiv por suksesi më i madh i qeverisë në ardhje do të jetë që të arrin t’i ndaloj të gjitha të këqijat e trazuara nga kjo qeveri aktuale dhe suksesi më i madh i sajë do të jetë jo përmirësimi por vetëm ndalimi sepse vërtetë nuk ka armiq më të madh në Kosovë që do të vepronte dhe do të ia bënte Kosovës më keq se sa ja ka bërë qeveria aktuale në dy vitet e fundit”, ka thënë Gërxhaliu.
E ndryshe thotë këshilltari i Ministrit të Financave, Lulzim Rafuna i cili e quan një ndër vitet më të mira të fushës së financave në vend.
Rafuna thotë se është për tu krenuar me statistikat pozitive që kanë pasur prioritet zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ky vit kalendarik për përmirësimin e financave ka qenë viti më i mirë që ka qenë ndonjëherë sa i përket fushës së financave në shtetin e Kosovës. Ka qenë një vit që ka pasur buxhet më të lartë të aprovuar në historinë e shtetit, ka qenë i veçuar pasi nuk ka pasur ndonjë tatim të ri të vendosur ose të ngritur ndonjë tatim ekzistues. Nënkupton një buxhet që ka pasur prioritet zhvillimin ekonomik të vendit, institucionet e sundimit të ligjit, punësimin e të rinjve dhe të gjitha statistikat janë pozitive dhe janë për tu krenuar.”
“Kosova është në planifikimet buxhetore, jemi në realizimin e tyre në masën e 99 %. Bilanci bankar është më i larti që ka pasur shteti ndonjëherë, ku në raport ditor sot kemi rreth 600 milionë që është bilanci më i madh që ka qenë dhe çdo indikator janë pozitiv dhe është një vit që ka lënë gjurmë në fushën e ekonomisë. Investimet e huaja jo gjithmonë varen nga financat. Kemi marrë një mori masash për lirimin e tatimeve doganore, akcizës dhe vlerës së shtuar që janë ndërmarrë nga ministri Hamza”.
Ai tha se ka pasur investime të huaja dhe se nuk është trendi në rënie, por aty ndikojnë shumë faktor tjetër. Rafuna tha se sundimi i ligjit, çështja e gjykatave, zgjidhja e kontrateve janë disa nga faktorët.
Ai ka thënë se fondi rezervë nuk duhet të përzihet me bilancin e përgjithshëm bankar, pasi ky i fundit nuk mund të ketë rënie në masën ekstreme në zero sepse atëherë falimenton shteti.
Rafuna ka shpjeguar se fondi rezervë i qeverisë mbahet për shpenzimet e paparashikueshme, ose për diçka që nevojitet në mënyrë urgjente. Sipas tij, ai fond është fleksibil që mund të mbushet në periudha të rregullta.
“Sipas analisteve kur po thuhet fondi rezervë po asocon sikur shteti ka mbet zero. Ai fond është i Qeverisë së Republikës së Kosovës që mund të mbushet nga fondet tjera. Nuk duhet ta përziejmë fondin rezervë me bilancin e përgjithshëm bankar, pasi ky i fundit nuk mund të ketë rënie në masën ekstreme në zero sepse atëherë falimenton shteti. Bilanci bankar i shtetit është rreth 600 milionë është bilanci më i lartë që ka pasur shteti, më se i mjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet që ka shteti edhe në rastin më ekstrem nëse asnjë e hyrë nuk mblidhet. Fondi rezervë është i qeverisë i cili mbahet për shpenzimet e paparashikueshme, ose për diçka që nevojitet në mënyrë urgjente. Ai fond është fleksibil që mund të mbushet në periudha të rregullta. Është një vijë buxhetore e qeverisë, nëse sot bien në zero mund të mbushet për një orë 10 milionë. Mos ta përziejmë fondin rezervë me bilancin bankar”, ka thënë ai për Ekonomia Online.