Arritja e marrëveshjes së telekomunikacionit me Serbinë i ka hapur rrugë rinisjes së angazhimeve rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Qeveria e Kosovës ka shprehur zotimin që posa ITU-ja zyrtarisht t’ia ndajë Kosovës kodin telefonik +383, do të fillojnë përgatitjet rreth draftimit të statutit.
Qeveria është përcaktuar të mos e anulojë dhe as të rinegociojë Marrëveshjen për parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën Gjykata Kushtetuese në të shtatë kapitujt e ujdisë kishte konstatuar të mos jenë tërësisht të përputhshme me Kushtetutën.
Juristë dhe njohës të rrethanave politike kanë paralajmëruar pasoja nëse në fuqi vazhdon të mbetet Marrëveshja e parimeve.
Zyrtarë të Qeverisë nuk kanë pranuar të flasin rreth angazhimeve për Asociacionin, pa u zyrtarizuar kodi telefonik i Kosovës. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se për Asociacionin do të flasin tek pas 15 dhjetorit. (Koha Ditore)