Investimet e huaja direkte në Kosovë vazhdimisht janë vlerësuar të nevojshme për një zhvillim ekonomik, marrë parasysh resurset e ndryshme të mjaftueshme që posedon Kosova dhe pamundësinë e investimeve nga vendorët. Por, pavarësisht kësaj, vlera e këtyre investimeve nga viti në vit edhe është zvogëluar.
Ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile shumë herë kanë shprehur shqetësimet se në këtë fushë po ndikon edhe burokracia e tepërt nëpër institucione.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës,për nëntë muajt e këtij viti, vlera e investimeve të huaja ka arritur në shifrën prej 164.4 milionë euro. Në vitin 2017, investimet kanë qenë 287 milionë euro, kurse në vitin 2016 – 220 milionë euro.
Vlera e investimeve ka qenë më e lartë para shpalljes se pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja kishte arritur në 440 milionë euro, vlerë kjo që asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka arritur në Republikën e Kosovës.
Ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se trendi i rënies së investimeve të huaja pas shpalljes së pavarësisë se Kosovës, karakterizohet me shumë faktorë.