S’ka mbështetje të BE-së dhe ShBA-së për anëtarësim të Kosovës në KiE, jo pa u zgjidhur Asociacioni

Prishtinë | 12 Mar 2023 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Ishte saktësisht 31 janari i këtij viti kur Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë kishte thirrur takim për nisjen e diskutimeve rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me akterë politik dhe të shoqërisë civile, kur po atë ditë shërbimi në gjuhën serbe i Euronews doli me një lajm “ekskluziv” se nga burimet e saj diplomatike kishte mësuar se ShBA kishte kushtëzuar futjen në rend të ditës të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, aplikim ky i cili ishte dorëzuar në maj të vitit të kaluar nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në Strasburg.

Kushtëzimit amerikan i ishin përgjigjur pajtueshëm edhe Gjermania, Franca dhe Italia, raportonte media evropiane, pikërisht shtetet kryesore mbështetëse të Kosovës si dhe shtytësit më të mëdhenj para të një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e cila do të konkretizohej si plani evropian për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt në Bruksel.

Ky kushtëzim do të mbetej deri kur “Kosova të adoptojë një qëndrim më konstruktiv për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e cila do të shtronte rrugën për një marrëveshje bazë mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Departamenti amerikan i Shtetit pyetur rreth këtyre raportimeve as s’e kishte mohuar e as pohuar një gjë të tillë. “Nuk i komentojmë shkëmbimet e supozuara diplomatike”, kishin thënë ata, por se sa i përket Asociacionit ishin shprehur të prerë se “qëndrimi i ShBA-së është i mirënjohur”.

Në një dokument të brendshëm të qeverisë që e ka parë Insajderi, një gjë e tillë rezulton të jetë e vërtetë. Në një takim pune të një këshilltari kosovar me një diplomat hungarez, këshilltari kosovar i raporton Ministrisë së Jashtme saktësisht për kundërshtitë që aplikimi i Kosovës në KiE e ka gjetur veten.

Temë diskutimi ndërmjet këshilltarit dhe kosovar dhe diplomatit hungarez është deklarimi i Ministrit të Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijarto më 10 janar, se Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organet evropiane (KiE, BE, etj); se së paku do të votojë kundër “deri kur të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi”.

Këshilltari kosovar në raportimin e tij ia përcjell një gjë ministrisë kosovare të jashtme që ia ka kumtuar diplomati hungarez.

“Diplomati hungarez ka thënë se me sa është në dijeni ai edhe [Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav] Lajçak ka bërë thirrje që të mos përkrahet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Por, se sa i përket qëndrimit hungarez kundër anëtarësimit të Kosovës në organet evropiane, diplomati hungarez ishte shprehur se “Hungaria vazhdon ta njohë Republikën e Kosovës dhe e konsideron si shtet partner […] Në të kaluarën, në Këshillin e Evropës vendimet janë marrë në mënyrë unanime, prandaj ka ardhur komenti i ministrit të jashtëm [Peter Szijarto]”.

Megjithatë, këshilltari kosovar, siç thotë ai në raportimin e tij që e ka parë Insajderi, i ka thënë diplomatit hungarez se “[…] institucionet e Kosovës janë të habitura me deklaratën e njëanshme të Ministrit të jashtëm hungarez Peter Szijarto se Hungaria nuk do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në KiE deri sa të zgjidhë çështjet me Serbinë”.

“Kjo deklaratë i bën favor Serbisë në disa mënyra”, shkruante ai.

“Deklarata të tilla konsiderohet si të dëmshme për procesin e dialogut dhe pengojnë punën e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun z.Miroslav Lajçak”, pohonte më tej ai.

“Deklarata e MPJ-së së Hungarisë pengojnë edhe procesin e njohjeve, pasi që Serbia e prezanton këtë si çnjohje apo ngrire të njohjes nga Hungaria tek shtetet në kontinentet e tjera të cilat nuk e kanë interesimin e njëjtë për këtë pjesë të botës apo janë gjeografikisht larg për të pasur vëmendje të njëjtë”, vëren këshilltari në raportimin e tij.

Ndërkaq çështja e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përkatësisht edhe mospengimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare nga Serbia, parashihet në Nenin 4 të Plan-Propozimit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve, plan ky për të cilit edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, janë pajtuar për të mos i shtuar e hequr gjë, siç deklaroi në konferencë për media më 27 shkurt Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Përfaqësuesi Special i BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbështetjen e pa ekuivok të ShBA-së, Gjermanisë, Francës, dhe së fundi edhe të Italisë, për të çuar para marrëveshjen Kosovë-Serbi. Ndërkaq, kundërshtimi i tij ndaj anëtarësimit të Kosovës në KiE që pohohet nga diplomati hungarez te këshilltari kosovar, përkon me raportimin e Euronews se ShBA, Gjermani, Franca dhe Italia janë pajtuar me “kushtëzimin” e anëtarësimit të Kosovës në KiE “deri në adoptimin e një qëndrimi më konstruktiv për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ndërkaq edhe Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, kohëve të fundit la të kuptohet se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE është shtyrë dhe se kjo temë nuk është aktualisht në tryezë.

“Nuk e kundërshtojmë atë. Por, nuk mendoj se debati mbi këtë çështje është në tryezë. Nuk jam edhe e sigurt se nuk është shtyrë, por nuk e kemi në mendje”, tha ajo për gazetën austriake “Der Standard” më 22 shkurt.

Ndërkaq nga Këshilli i Evropës përgjigja kaherë është e zbehtë kur pyeten pse aplikimi i Kosovës në KiE nuk futet në rend të ditës.

“Aplikimi i Kosovës në KiE është ende duke u konsideruar”, tha para një muaji në një përgjigje për Insajderin Zyrtari për Media në KiE, Dushan Vojnoviq.

“Siç e dini, aplikimi është ende duke u konsideruar nga Këshill i Ministrave të Këshillit të Evropës, në pajtim me rregullat relevante”, na tha Dushan Vojnoviq.

Zyrtari për Media, megjithatë, nuk përgjigjet më tej mbi arsyet pse dhe si, ndërsa shprehet se “puna dhe diskutimet e Këshillit të Ministrave janë konfidenciale”.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pretendon ndryshe. Ajo shprehet se para dorëzimit të aplikimit në KiE, “është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe përgjatë lobimit të pandërprerë ka siguruar mbështetjen e gjerë për të kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit”.

Megjithatë, asnjë fazë nuk është kaluar, gjer më sot, tash afro një vit pas.

Të ngjashme