S’ka më tren për Pejë e Han të Elezit

Prishtinë | 31 Kor 2017 | 20:15 | Nga

Qytetarët të cilët e shfrytëzojnë trenin si mjet transporti tanimë nuk do të kenë mundësi të udhëtojnë me të nga e enjtja, më 3 gusht.

Menaxhmenti i kompanisë “Trainkos”, ka njoftuar se do të ndërpres qarkullimin e trenave në linjën e Pejës dhe atë të Hanit të Elezit në mungesë të mjeteve financiare.

“Mjetet e ndara për këtë transport nga QRKS janë shpenzuar në muajin qershor të këtij viti. Deri më tani trenat janë mbajtur në operim me mjete vetanake nga ana e ndërmarrjes, por mbajtja e tyre më gjatë në operim është e pamundur”, njofton kjo kompani.

Sipas, Trainkos, në çdo vend transporti hekurudhor i udhëtarëve konsiderohet si shërbim publik ku qeveritë e të gjitha vendeve i porosisin këto shërbime dhe njëkohësisht i mbulojnë edhe shpenzimet e tyre.

“Ashtu edhe në vendin tonë, në bazë të Ligjit për Hekurudhat e Kosovës, autoriteti kontraktues (Ministria e Infrastrukturës) parashihet që t’i mbulojë të gjitha këto shpenzime, për aq më shumë edhe lejohet një marzhë modeste e fitimit për operatorin hekurudhor. Fatkeqësisht, që nga ndarja e Hekurudhave të Kosovës në vitin 2011 këto shpenzime nuk janë mbuluar të gjitha nga ana e Qeverisë por humbjet janë mbuluar me mjete vetanake”.

Për këtë arsye trenat e linjës Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas , Fushkosovë-Hani i Elezit dhe anasjelltas, nuk do të jenë në funksion derisa të sigurohen mjete për operimin e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme