Të gjithë ata qytetarë që janë arrestuar për shkak se kanë shkelur urdhrin e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes gjatë kohës së pandemisë nuk do të ndiqen penalisht.
Pas rreth 2 muajve qëkur Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli kundërkushtetues vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, institucionet e drejtësisë kanë marrë vendim që këto lëndë të procedohen vetëm si kundërvajtje administrative, raporton KTV.
Vendimi është marrë nga Prokuroria e Shtetit.
Ky institucion, në një përgjigje për Kohën, ka sqaruar se vetëm qytetarët të cilët janë zënë duke shkelur nenet 249 dhe 250 të Kodit Penal për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse do të ndiqen penalisht.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, deri më 20 maj, për moszbatim të vendimeve lidhur me pandeminë, janë iniciuar procedura ndaj 2 mijë e 425 personave.
Por, Policia nuk ka dhënë detaje se sa është numri i personave të cilët janë ndaluar gjatë kësaj kohe, duke thënë se ky numër është i vogël.
Megjithëse, Kushtetuesja qysh në mars vendosi që kufizimi i vënë nga Qeveria ishte antikushtetues, në Gjykatën Themelore të Prishtinës deri më tani nuk ka arritur asnjë lëndë.
Kjo gjykatë, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se nuk ka pranuar asnjë lëndë nga Prokuroria, e që të ketë të bëjë me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve gjatë kësaj kohe.
Televizioni ka pyetur edhe katër prokuroritë themelore në vend për të parë se si po i procedojnë këto lëndë, por vetëm ajo në Prizren ka kthyer përgjigje.
Kjo prokurori ka bërë të ditur se ende nuk ka nisur trajtimin e këtyre lëndëve dhe se për to do të vendoset bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses.
Derisa avokatët vlerësojnë se gjykatat, përveçse duhet t’i hedhin poshtë këto lëndë, ata që u ndaluan nga policia gjatë kësaj kohe duhet të kompensohen sipas ligjit.
E, në anën tjetër, Inspektorati Sanitar po vazhdon gjobitjen e qytetarëve dhe bizneseve që nuk po i respektojnë masat. Deri më tani, ky institucion ka bërë mbi 800 fletëparaqitje për shqiptim të gjobave si kundërvajtje administrative.
Në fund të marsit, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe të njëjtin e kishte shpallur të pavlefshme.
Kushtetuesja kishte konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet vetëm me ligj të veçantë të Kuvendit të Kosovës.
Një iniciativë për këtë ligj është nisur nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, por nuk është përkrahur nga të gjitha partitë në Kuvend.