Gjendja në komunën e Rahovecit rreth epidemisë Coronavirus, vazhdon të jetë e qetë. Kështu kanë bërë të ditur, nga zyra për Informim në këtë komunë për Ekonomia Online.
Fillimisht me vendim të kryetarit është formuar Shtabi i Posaçëm Emergjent për parandalimin e infeksion Covid19, i cili kryesohet nga Kryetari, drejtorët e drejtorive, kryesuesi i Kuvendit Komunal, komandanti i stacionit policor në Rahovec, komandanti i Zjarrfiksave, Drejtori i QPS, Kryetarët e fshatrave dhe lagjeve urbane.
Me marrjen e këtij vendimi janë lejuar, që të jenë të hapura, farmacitë, barnatoret bujqësore, furrat e bukës dhe marketet ushqimore.
Poashtu, kryetari e ka urdhëruar drejtorin e Punëve Inspektuese që ti mbyll kafeteritë, lokalet e natës, hotelet. Ndërkaq drejtoria e shëndetësisë, i ka dezinfektuar të gjitha objektet publike në komunë.
Nga zyra për informim e Komunës së Rahovecit, kanë thënë për Ekonomia Online, se drejtoria e Shërbimeve Publike ka filluar me mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve si dhe larjen e tyre në gjithë territorin administrativ të komunës.
“Kryetari Latifi, poashtu i ka vizituar fabrikat për prodhimin e miellit M-Silosi dhe Vetoni dhe ka parë nga afër situatën me furnizim me miell. Nga aty kryetari ka marrë mesazhe që nuk do të ketë probleme me furnizim për qytetarët e komunës tonë,ndryshe siç kanë thënë menaxheret e atyre kompanive sasitë e furnizimit do të jenë të limituara”.
“Në situatën tjetër, të ditëve tjera kryetari ka vizituar dhe qendrat tregtare që operojnë në komunën tonë, dhe nga aty është njoftuar nga menaxherët e rrjeteve të supermarketeve që nuk ka probleme me furnizim. Kryetari Latifi ka kërkuar nga ata që në rast se vendi shkon në gjendje të jashtëzakonshme ata të jenë të gatshëm që të ju dalin në ndihmë familjeve skamnore, propozim ky që ka gjetur mbështetje nga menaxherët”, thuhet në përgjigjen e tyre për EO.
“Përkundër shumë aktiviteteve komuna jonë ka reduktuar stafin e komunës,por kabineti i kryetarit bashkë me shtabin emergjent janë çdo dite në krye të detyrës. Pra ne po e përcjellim me kujdes situatën e krijuar nga Covid19, dhe siç ju thashë edhe me larte kemi marrë të gjitha masat e duhur për ta parandaluar këtë virus. Por ajo që duhet të theksohet është se komuna jonë, deri në këto momente që po ju shkruaj nuk e ka asnjë të infektuar nga ky virus”, thuhet më tej.
Komuna e Rahovecit, ka falënderuar qytetarët që po tregojnë maturi në përfilljen e masave që ka marrë instituti i shëndetësisë.