Institucionet arsimore do të vazhdojnë të punojnë sipas 3 skenarëve edhe gjatë ditëve në vijim. Kështu kanë konfirmuar në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ky institucion, në një përgjigje për “Kohën”, ka theksuar se aktualisht nuk ka ndonjë masë të re, derisa situata me pandeminë është duke iu nënshtruar vlerësimit të rregullt nga institucionet kompetente.
“Në këto vlerësime të rregullta monitorohet edhe situata nëpër institucionet edukative dhe arsimore. Për momentin, shkollat veprojnë sipas 3 skenarëve të mëhershëm. Për çfarëdo vendimi që mund të merret, MSH-ja do ta njoftojë me kohë publikun, në mënyrë transparente”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
Vetëm në Komunën e Prishtinës aktualisht 8 shkolla janë të mbyllura dhe kanë kaluar në skenarin C. Ndërkaq, 2 të tjera po punojnë në skenarin B, me mësim të kombinuar.
“Deri të hënën të raportuar i kemi 301 nxënës dhe mësimdhënës që janë nëpër shkolla por dita-ditës numrat vetëm janë duke u shtuar. Ne i marrim statistikat në baza javore, për shkak se mund të kemi të shëruar, por edhe të infektuar në të njëjtën kohë”, ka deklaruar drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala.
“Koha” ka pyetur në Inspektoratin e Arsimit për numrin e rasteve me COVID në të gjitha shkollat e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.