Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në një takim që ka pasur sot, ka vendosur që t’i japin edhe pak kohë Qeverisë, duke mos nisur grevat e paralajmëruara.
Kryetari BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka treguar për Ekonomia Online se është marrë vendim që më 27 prill të ketë edhe një mbledhje tjetër të sindikatave. Deri atëherë, sipas tij, nuk do të ketë veprime sindikale, meqë sipas tij, qeveria u ka dhënë sinjale pozitive për dialog rreth kërkesave që kanë.
“Sot e patëm takimin e rregullt të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe analizuam protestën e fundit. Në takim u morëm vesh që Qeveria të na informojë deri ku ka shkuar Ligji i Pagave dhe Ligji për Pensione Sociale dhe Sigurime Shëndetësore. Kërkesa jonë ka qenë dialogu social dhe kemi filluar dialogun dhe takimin e radhës e kemi sot një javë”, tha Hykolli për EO.
Në variantin më të keq, Hykolli nuk i ka përjashtuar grevat e protestat. Për këto të fundit, ai luti Qeverinë që t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.
“Veprimet sindikale janë edhe grevat e protestat, por fillimisht i kemi dhënë mundësi partnerit tonë social që të zhvillojmë dialog social. Dhe do t’i vazhdojmë veprimet tona sindikale. Takimin që kishim ishte disponim që të merren seriozisht kërkesat tona. Ne kemi edhe veprimet tona sindikale që shpresoj që të mos shkohet deri atje”, tha tutje Hykolli.