Ferid Agani është personi i vetëm që la pozitën shtetërore pas aktakuzës së ngritur ndaj 64 të pandehurve për rastin “Stenta”, veprim ky që u quajt shembull nga të gjithë, duke filluar nga presidenti i vendit e deri te analistët politik.
Njëzëri u kërkua që një veprim të tillë ta ndjekin të gjithë zyrtarët shtetërorë të cilët kanë aktakuza të ngritura. Për dallim nga dorëheqja e Aganit, ndryshe janë duke vepruar personat e tjerë të përmendur në këtë rast.
Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabanaj, kryeinspektorja e Farmacisë, Remzije Thaçi, drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Gani Bajraktari, janë disa prej zyrtarëve të përfshirë në këtë aktakuzë që nuk e kanë ndërmend të ndjekin rrugën e ish- ministrit Aganit, pasi nuk i kanë lënë pozitat e tyre shtetërore.
Sekretari i i Përgjithshëm i MSH-së, Gani Shabani ka deklaruar për mediat kosovare se ndjehet i pafajshëm dhe se nuk e ka ndërmend të largohet nga posti i tij.
“Unë nuk kam njëherë kurrgjë, do të shikoj. Unë e ndjej veten shumë të pafajshëm. Pasi ta marr lëndën do të shikoj se për çfarë është ngrit aktakuza”, ka thënë shkurt ai.
Edhe pse kaluan disa ditë askush prej kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmanit nuk është deklaruar për skandalin e stentave dhe aktakuzën. Duke parë vendosmërinë e personave ndaj të cilëve është ngritu aktakuzë për të mos u dorëhequr shtrohet pyetja se a duhet qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa dhe të shkarkojë zyrtarët e dyshuar për vepra korruptive?
Time Kadrijaj, anëtare e komisionit kuvendar për shëndetësi nga radhët e AAK-së thotë se drejtësia duhet ta trajtoi me urgjencë rastin e “Stentave”. Deputetja Kadrijaj për tesheshi.com ka thënë pas dorëheqjes së bërë nga Agani edhe të akuzuarit e tjerë nuk duhet t’i lirojnë detyrat.
“Për rastin ‘Stenta’ duhet të ndërmerren hapa të shpejt nga gjykatat. Zyrtarët ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë duhet të suspendohen nga puna deri në zbardhjen e rastit. Drejtësia duhet të veproj urgjent që rastit ‘Stenta’ t’i vihet kapaku njëherë e mirë”, ka thënë deputetja Kadrijaj, për tesheshi.com.
Avokati i njohur, Arianit Koci, thotë se Neni 69 i Ligjit për shërbimin civil, parasheh se nëpunësit civil duhet të pezullohen menjëherë nga detyra, nëse kundër tyre është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare.
“Ky pezullim ka karakter parandalues, dhe gjatë këtij pezullimi, nëpunësi civil duhet të merr 50 % të pagës. Theksoj, se kjo vlen vetëm për nëpunësit civil, për të cilët aplikohet ligji i lartcekur. Sidoqoftë, ndaj çdo të dyshuari duhet në mënyrë strikte të aplikohet prezumimi i pafajësisë. Mjekët nuk janë shërbyes civil sipas këtij ligji”, thotë Koci, për tesheshi.com.
Ndryshe, rrugën e Aganit dhe shembullin që dha ai me dorëheqjen nuk e ka bërë as Nexhat Çoçaj, drejtori i Arsimit në Prizren i cili së fundmi është dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
I dënuari Çoçaj ka thënë se ende nuk e ka menduar dorëheqjen nga posti.