Skena si nëpër filma nga Policia e Vushtrrisë: Ndjekin një kontrabandist 5 km nëpër male

Prishtinë | 20 Kor 2018 | 15:40 | Nga

Dje rreth orës 10:00 Policia e Kosovës ka pasur mjaft punë. Zyrtarët e saj janë përballur me ndjekje të një veture si nëpër skena filmi.

Metro merr vesh se një veturë Golf 6 pa targa nuk i ishte ndalur Policisë në Stanovc dhe kishte vazhduar të ikën në drejtim të Vushtrrisë. Policia e rajonit të kësaj komune kishte marrë kërkesë për asistim dhe ishin vënë në ndjekje të një personi.

Rasti është konfirmuar nga Policia për Metron, të cilët kanë pranuar se vetura nuk u është ndalur dhe është dashur të përfshihen edhe Policia e Vushtrrisë.

“Dje në mes orës 09:00-10:00, një automjet pa targa i markes Golf 6, i cili po lëvizte në drejtim nga Prishtina për Mitrovicë në magjistrale , nuk i është ndalur Policisë në fshatin Stanovc . Policia e trafikut i është vënë në ndjekje, njëkohësisht ka kërkuar asistim nga Stacioni Policor i Vushtrrisë”, thonë për Metron burime nga Policia.

Por, skenat e filmit vetëm kishin nisur, pasi shoferi i ndjekur kishte vendosur të mos ndalej dhe ishte nisur drejt fshatit Dumnicë të Vushtrrisë. Gjithmonë në ndjekje të Policisë, vetura është dashur të futet në rrugë malore ku edhe ka ngecur.

Mirëpo, i dyshuari insistonte në tentimin për ikje nga Policia. Ai pasi ngecet në rrugë zbret nga vetura dhe ikën në këmbë. Policia i vihet në ndjekje në këmbë dhe e kap vetëm pas 5 kilometrash vrapim.

Personi i dyshuar që po voziste veturën u kap në fshatin Samadrexhë pas ikjes së gjatë nëpër male nga dy togerë të Policisë së Vushtrrisë, të cilët i ishin vënë në ndjekje që nga fillimi.

Ndërkohë, Metro mëson se i dyshuari kishte mbushur veturën përplotë cigare të kontrabanduar dhe pa banderola, e të cilat u konfiskuan në veturën që i dyshuari e braktisi.

E ky rast tregon një tendencë tjetër në ndjekjen e kontrabandës, pasi deri tani qindra raste janë kapur për kontrabandë që vinte nga veriu për në Prishtinë, mirëpo rasti i djeshëm është i rrallë pasi malli ka mundur të futet nga ndonjë pjesë tjetër e Kosovës.

Ndryshe, rajoni i veriut që përfshin komunat Leposavic, Zvecan e Mitrovicë e Veriut, por edhe Mitrovicë Jugore e Vushtrri, janë të prekur nga kontrabanda me mallra nga Serbia. Metro ka raportuar disa herë për kapjen  e mallrave të kontrabanduara, e madje tash së fundmi edhe u arrestua ‘mbreti Ii kontrabandës’ i njohur me emrin ‘Kaça’.

 

Të ngjashme