Skenari i konfliktit në Veri

Prishtinë | 23 Jan 2017 | 16:14 | Nga

Ndërtimi i murit në Veri të Mitrovicës, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, dhe dërgimi i trenit përplot simbole provokative për shqiptarët, më 14 janar të këtij viti, duket se kanë qenë pjesë e një skenari të veçantë të Qeverisë së Serbisë për ta destabilizuar gjendjen në Kosovë dhe për krijimin e rrethanave më të volitshme për Beogradin zyrtar në dialogun me Prishtinën.

Burime diplomatike kanë thënë për Politiko.net se te diplomatët perëndimorë në Prishtinë ka gjithnjë e më pak dyshime në ekzistimin e këtij skenari, i cili u fuqizua në ndërkohë, edhe me ndaljen e Ramush Haradinajt, Kryetarit të AAK-së, në Francë, më 4 janar, në bazë të fletarrestit të Serbisë.

Ky skenar, po ashtu, ka nënkuptuar që më së voni me 15 shkurt të këtij viti të bëhet konstituimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nëse në ndërkohë autoritetet kosovare nuk ndërmarrin veprimet e duhura në fillimin e draftimit të Statutit të Asociacionit.

Njëri prej elementeve shumë të rëndësishëm të këtij plani të përplasjeve të ndryshme mes Serbisë dhe Kosovës, ai i trenit, u zgjidh me intervenimin policor dhe politik të instancave më të larta të vendit, Presidentit Thaçi dhe Qeverisë së Kosovës. S’do mend që në këtë çështje, Prishtina zyrtare ka pasur një mbështetje të qartë të Ambasadës së SHBA-së dhe ambasadave të tjera kryesore perëndimore.

Konkludimi i suksesshëm i përballjes kosovare me këtë provokimin e trenit, i bashkuar me zotimet publike të krye-emrave të politikës kosovare për ta shembur në tërësi murin e ndërtuar ilegalisht në Veri të Mitrovicës, ka bërë që Prishtina zyrtare të fitojë shtytje shtesë për të qenë e vendosur edhe në trajtimin e murit.

Por, bazuar në vlerësimet e qarqeve diplomatike perëndimore në Prishtinë, të cilat i janë bërë me dije Politiko.net, duket se ka dallim të qartë në trajtimin analitik të rastit të trenit dhe atij të murit.

Muri është ndërtuar në një ambient të njohur dhe shumë të ndjeshëm në Mitrovicë, dhe intervenimi i ngjashëm i autoriteteve kosovare në Mitrovicë, duke përdorur Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, në rrënimin e murit, do të kishte pasoja të parashikueshme për zhvillimet e mëtejme të sigurisë dhe të politikës në këtë pjesë të Kosovës, sipas burimeve diplomatike.

Në fakt, sipas këtyre burimeve, ky intervenim eventual policor, do të shërbente si pretekst për strukturat e Serbisë në Veri të Kosovës për ta mbushur Veriun e Mitrovicës, por edhe krejt Veriun e Kosovës me barrikada.

Në këtë mënyrë, gjendja në Veri do të kthehej efektivisht ku ka qenë në verën e vitit 2011, pas intervenimit të ROSU, njësive të atëhershme policore. Për më shumë, sipas këtyre burimeve, Beogradi në atë rast do ta përshpejtonte agjendën e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si kundërpërgjigje politike ndaj këtij veprimi të mundshëm të Prishtinës zyrtare.

Ky skenar i rrjedhës së ngjarjeve në Veri të Kosovës është realist dhe është i pritshëm, sipas burimeve diplomatike, ndërsa, në anën tjetër, është e qartë që Qeveria e Kosovës me të drejtë insiston në shembjen e këtij muri ilegal, dhe që janë dhënë edhe afatet kohore kur kjo duhet të ndodhë – fundi i janarit, fillimi i shkurtit.

Si qëndrojnë punët tani, qarqet ndërkombëtare në Prishtinë aktualisht favorizojnë gjetjen e një zgjidhjeje politike dhe diplomatike për problemin e murit në Veri të Mitrovicës.

Pritet që tema e murit do të ngritët edhe në takimin e radhës në Bruksel, të martën në mbrëmje, me 24 janar, ku për herë të parë niveli më i lartë i Kosovës dhe Serbisë do të përfaqësohet nga Presidentët dhe Kryeministrat e dy vendeve.

Sidoqoftë, sa kalojnë ditët do të shtohet presioni i opinionit publik në Kosovë dhe veçmas i subjekteve opozitare që Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimin për prishjen e murit në Veri të Mitrovicës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme