Kryeministri Isa Mustafa, të hënën do ta mbledh kabinetin e ministrave. Siç ka paralajmëruar edhe vetë, në këtë mbledhje pritet të merret vendimi për procedimin në Kuvend të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Një veprim të tillë nga ana e Qeverisë e pret edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, pasi kështu i është thënë nga Mustafa, gjatë bisedës telefonike që kanë zhvilluar pas ngritjes së mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.
Mirëpo Mustafa, sipas burimeve të gazetës AktivPress ka vendosur ta përdor një skenar me anë të të cilit pretendon të godas në dy drejtime: kah PDK-ja dhe kah opozita.
Sipas këtyre burimeve, Mustafa nuk do të kërkoj që demarkacioni të shqyrtohet të hënën me urgjencë në Kuvendin e Kosovës, por do ta lë Kuvendin që ta shqyrtoj këtë marrëveshje në procedurë të rregullt.
Mbështetur në Rregulloren e Punës së Kuvendit, në rastet e tilla duhet që Projektligji për ratifikimin e demarkacionit, fillimisht të trajtohet nga Kryesia e Kuvendit, në mënyrë që më pas ky organ ta procedoj atë te komisioni funksional parlamentar.
Rregulli e përcakton që komisioni duhet ta shqyrtoj dhe të kthej përgjigje në Kryesi në lidhje me materien, jo më herët se dy javë, e as më vonë se një muaj pas pranimit të dokumentit.
Ndjekja e kësaj procedure bëhet me synimin që mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë i cili është nënshkruar nga 42 deputetë të të gjitha partive politike pos LDK-së, të futet në votim para demarkacionit.
Në një rrethanë të tillë, opozita do ta ketë të vështirë t’i siguroj 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë, pasi shumica e deputetëve të PDK-së nuk do të mund ta arsyetonin votën pro rënies së Qeverisë me mungesën e vendimmarrjes, pasi nuk kanë ku ta mbështesin këtë argument pa u hedhur në votim demarkacioni.
Dështimi eventual i mocionit ia shtjerr opozitës mundësin që ta parashtroj të njëjtën kërkesë brenda tre muajsh, për sa kohë që i gjithë koncentrimi më pas do të jetë kah Kuvendi e jo nga Qeveria.
Sipas burimeve të AktivPress, me ketë skenar Mustafa do ta bartë barrën tek partneri i koalicionit Kadri Veseli, i cili si kryetar i Kuvendit do të duhet të merret me trajtimin e demarkacionit brenda institucionit ligjvënës.
Përvoja nga e kaluara ka dëshmuar se Kuvendi e ka të vështirë ta kryej një proces të tillë pa u përfshirë sërish në tym e gaz.
Zyrtarë të lartë të LDK-së thonë se Mustafa nuk e ka problem nëse dështon demarkacioni në Kuvend, sepse kështu përgjegjësia për dështim do të ndahej me PDK-në.
Sipas tyre, nëse pas dështimit të demarkacionit, paraqitet kërkesa për shpërbërje të Kuvendit, as LDK-ja nuk do ta ketë problem që të shkoj në zgjedhje.
Këtë e ka thënë edhe vet Mustafa gjatë një tubimi me anëtarë të partisë së tij.
Një ditë me herët ai ka folur edhe për mocionin e 42 deputetëve duke thënë se ka pritur që përmbajtja e tij të ishte krejt tjetër.
“Kam pritur se Mocioni i opozitës do të përmbajë diçka që kemi punuar keq apo s’kemi punuar atë që kemi premtuar. Por, se kësaj Qeverie do të tentohet t’i adresohen keqpërdorimet, vjedhjet, abuzimet e aferat me të cilat asnjë vendim dhe anëtar i kësaj Qeverie s’ka të bëjë, nuk kam pritur!”, ka thënë ai.
Mustafa, megjithatë ka paralajmëruar kohë më parë se në rast se dështon demarkacioni atëherë vendi duhet të shkoj në zgjedhje.
Shkuarjen në zgjedhje nuk e ka përjashtuar as kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
Bile, ky i fundit, ditën kur është shqyrtuar mocioni i mosbesimit në Kryesi të Kuvendit, ka thënë se mes kolltukut dhe interesit të popullit, do të vendoste për këtë të dytin.