Skenderaj bën vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet, kërkon kompensim nga qeveria

Prishtinë | 20 Shk 2023 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Një muaj pas vërshimeve në Skenderaj, kryetari i kësaj komune Fadil Nura ka njoftuar sot se iu janë drejtuar Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave dhe Komisionit Qendror të Qeverisë për kompensimin e dëmit në vlerën e 12,203,029.29 eurove.

Kryetari Nura ka bërë të ditur se 372 familje janë prekur nga përmbytjet e 19 janarit.

“Pas nënshkrimit të kërkesës zyrtare për kompensim të dëmeve, në një vlerësim ku ishin përfshirë njohës të fushave dhe ekspertë, duke vlerësuar kujdesshëm çdo humbje materiale, sot po u drejtohemi Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave dhe Komisionit Qendror të Qeverisë për vlerësim të dëmeve për fjalën përfundimtare – kompensimin e dëmit në vlerën e 12,203,029.29 milionë eurove”, ka shkruar Nura në rrjetin social në Facebook.

Kryetari i Skenderajt pret që kjo javë të jetë me lajme të mira nga niveli qendror për ato 372 familje të prekura nga fatkeqësia e përmbytjeve të 19 janarit, që ua shkatërroi pothuajse plotësisht mundin disavjeçar, për bizneset që humben një pjesë të pasurisë, për bujqësinë dhe të mbjellat që i mori lumi, infrastrukturën publike dhe për çdo dëm tjetër të shkaktuar një muaj më parë!

Reklama

Skenderaj, Klina, Mitrovica, Podujeva dhe Istogu kanë qenë komunat më të prekura nga përmbytjet e 19 janarit.

Të ngjashme