Skënderbeut i ka ikur nga duart një fitore e rëndësishme në fushën e Dinamos së Zagrebit.
Skuadra shqiptare barazoi 1 – 1 në stadiumin “Maksimir” me vendasit që shmangën humbjen në çastet e fundit.
Korçarët zhvilluan një ndeshje të mirë duke bërë që të harrohej humbja e thellë 4 – 1 e dy viteve më parë në të njëjtin stadium.
Skënderbeu tregoi dëshirë për të shënuar që në fillim. Latifi e dërgoi topin në rrjetë, por për vijërotësin Vangjeli, i cili dha pasimin ishte në pozicion të parregullt.
Rastet nisën të shtoheshin në të dy portat dhe në minutën e 37’ Latifi shënoi sërish, kësaj here një gol të rregullt.
Në pjesën e dytë futbollistët e Skënderbeut luajtën më të tërhequr, ndërsa ata të Dinamo Zagreb rrezikuan më shumë. Atëherë kur pritej të festohej fitorja e korçarëve Henriquez i futur në lojë si zëvendësues realizoi për kroatët.
Megjithatë edhe barazimi është një rezultat i mirë për Skënderbeun që do të presë Dinamo Zagreb më 24 gusht në Elbasan Arena për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohet në grupet e Europa League.