Skocia nuk ka regjistruar asnjë të vdekur nga Coronavisuri në gjashtë ditët e fundit

Prishtinë | 22 Qer 2020 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, ka njoftuar se vendi i saj nuk e ka regjistruar asnjë viktimë të koronavirusit për të gjashtën ditë me radhë.

Deri më tani, shteti verior i Mbretërisë së Bashkuar i ka regjistruar 2,472 të vdekur nga koronavirusi dhe 18,170 persona të infektuar, shkruan “Metro UK”, transmeton Gazeta Express.

Gjatë 24 orëve të fundit, në këtë shtet janë regjistruar vetëm 14 raste të reja të infektimeve.

Tash për tash, në spitalet e Skocisë ndodhen 867 pacientë me koronavirus. Prej tyre, 15 janë në repartin e kujdesit intensiv.

Lajmi i mirë nga Skocia vjen në kohën kur Anglia, Uellsi e Irlanda Veriore po përgatiten për t’i bërë hapat e ardhshëm për të dalë nga izolimi.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet që të martën ta paraqesë në kuvend planin për lehtësimin e masave kufizuese. Të dielën, ai tha se përparimi i shënuar në luftën kundër pandemisë gjatë tre muajve të izolimit e bën të mundur vazhdimin e lehtësimit të masave.

Qeveria do të publikojë udhëzues për secilin sektor në lidhje me atë se si të parandalohet përhapja e koronavirusit, kur lokalet të rihapen.

Të ngjashme