Lojtarët më të mirë të Kosovës janë të grumbulluar në përfaqësuese dhe pak prej tyre kanë sqaruar të ardhmen në nivel klubesh.
Në pritje të përforcimeve me vendorët cilësorë, skuadrat që do të luajnë në Evropë, Prishtina e Rahoveci, po vazhdojnë përforcimet me basketbollistë të huaj. Të dy skuadrat kanë bërë lëvizje të enjten.
Kampionia në fuqi, Prishtina, ka firmosur me basketbollistin amerikan Jonathan Wade. 25-vjeçari luan në pozitën e fundorit, ndërsa edicionin e kaluar ishte te skuadra zvicerane, Pully Basket me të cilën luajti me mesatare prej 17,8 pikë për ndeshje. Te Pully ka kompletuar dy edicione, ndërsa më parë ishte në SHBA, në ligën NCAA, shkruan sot Koha Ditore.
Prishtina paraqitjen në Evropë do ta nisë në Ligën e Kampionëve, ndërsa këtë javë ka nisur me kompletimin e ekipit. Ka firmosur edhe me Arian Memetin, Fahro Alihoxhiqin, Shea Feehanin, ndërsa ka vazhduar kontratën me të riun Meriton Ismaili. Por nuk ka deri më tani marrëveshje të reja me lojtarët kryesorë të skuadrës nga edicioni i kaluar si Dardan Berisha, Mikaile Tmushiq, Edmond Azemi, Fisnik Rugova e Visar Bunjaku, që janë të grumbulluar në përfaqësuese të Kosovës.