Gjatë ditëve të fundit kam ndjekë disa mendime rreth shkatërrimit të fasadës së stadiumit apo dhe të gjithë stadiumit.
Më lejoni si qytetar i Tiranës që ditën që kam lindur, si shijuese e atij mjedisi që ditën që mësova se ai stadium ishte atje, më lejoni si skulptore që kam lëvizur në të gjithë Tiranën tonë, që nga koha e Liceut Artistik dhe më pas Instituti i Lartë i Arteve dhe në vijim si specialiste në Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe më në fund si studiuese arti në Galerinë Kombëtare të Arteve te shprehem se: Dy skulpturat relieve nuk kanë asnjë lloj vlere, përveçse kanë qëndruar aty për shumë kohë dhe asnjë nga profesorët tanë, duke filluar nga Skulptori i njohur Janaq Paço, për ata që nuk e dinë autori i skulpturës ekuester “Skënderbeu mbi kalë” në Krujë dhe Prishtinë, dhe të gjithë skulptorët e tjerë të njohur të Shqipërisë dhe të gjithë të skulptorët e vërtet të ditëve tona, nuk do mund t’i merrnin si shembull skulpturor, as të pranonin kurrsesi se ato dy relieve kanë vlerë artistike.
Nëse janë hequr për t’u vendosur dy vepra arti të mirëfillta është bere shume mire. Kam vetëm një mendim le të mbeten ato dy skulptura në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve si dëshmi historike e një kohe jo të mirë për artin urban dhe monumental të skulpturës në Tiranë.
Dhe të mos harrojmë se vepra te tilla ka edhe disa te tjera, që nuk janë gjë tjetër vetëm se figurativizimi i një akti dhe asgjë më shumë. Këto lloj skulpturash e bëjnë specialistin të kthejë kokën anash, ndërsa ndikojnë shumë negativisht mbi këdo, por më shumë ndikojnë negativisht tek edukimi i shijeve komerciale dhe të nivelit të ulët të publikut shqiptar. Ky i fundit ka një mangësi të jashtëzakonshme në lidhje me njohjen e veprës së vërtetë të artit.
Dhe një gjë ndikojnë shumë-shumë keq tek ata fëmijë që mendojnë se duan të bëhen nesër artistë. Mendoni të shkojnë dhe t’i kopjojnë ato dy relieve të shëmtuara se çfarë iu ngulitet atyre në shijen fillestare dhe në hapin e parë drejt artit. Ky tekst nuk ka lidhje aspak me politikën ka lidhje me të bukurën si kategori estetike.
(Autorja është studiuese Arti në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë)