Sllovakët nuk dihet a do ta njohin Kosovën për aplikimin për anëtarësim në BE

Prishtinë | 03 Jan 2023 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Megjithë refuzimin e pesë shteteve anëtare që vazhdojnë për njohjen e pavarësisë, Kosova vendosi që të aplikojë për t’u bërë anëtare në Bashkimin Europian ku kërkohet unanimiteti i 27 shteteve anëtare. Sllovakia thotë se është në dijeni për këtë, por thotë se qëndrimin e saj e ndryshon vetëm rezultati i dialogut të ndërmjetësuar nga vetë Unioni.

Ministria e Jashtme e Sllovakisë në një përgjigje ka thënë se është informuar për dosjen e dorëzuar të Kosovës me kërkesën për t’u bërë anëtare e BE-së. Sllovakët nuk japin përgjigje direkte nëse do ta përkrahin Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, por këshillojnë që të jetë aktive në dialogun me Serbinë.

Sipas tyre, gjithçka varet nga normalizimi i marrëdhënieve – rrugë në të cilën SHBA dhe BE janë duke janë duke provuar t’i çojnë Kosovën e Serbinë, por ende s’dihet nëse do të arrihet kjo.

“Republika e Sllovakisë është informuar për aplikimin e Kosovën në BE. Siç e kemi thënë dhe përsëritur vazhdimisht, qëndrimi sllovak ndaj Kosovës është i bazuar në deklaratën e Këshillit Kombëtar të Republikës Sllovake (2007). Çdo ndryshim i pozicionit sllovak në këtë çështje do të varet nga normalizimi i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë”, thotë MPJ e Sllovakisë.

“Mënyra e vetme e normalizimit të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë është një pjesëmarrje aktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili duhet gradualisht të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kjo marrëveshje duhet të pasqyrojë vlerat dhe standardet e BE-së që janë kruciale për Kosovën që të avancojë në rrugën e saj europiane”, shtojnë tutje ata.

Në një përgjigje të mëhershme të Bratislavës thuhej se Sllovakia mbështet edhe planin e ashtuquajtur franko-gjerman të BE-së, nga i cili po të dalë një marrëveshje Kosovë-Serbi mund të ndryshojë qëndrimin mbi pavarësinë e Kosovës. 

“Ne gjithashtu mbështesim çdo iniciativë, e cila mund të na afrojë me marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme”.

Pas zyrtarizimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pati thënë se ka përparim në lobimin për të marrë njohjen dhe mbështetjen e pesë vendeve mosnjohëse të BE-së për procesin e anëtarësimit të Kosovës. Ajo shtoi se këtë kohë Kosova synon ta shfrytëzojë për të shtyrë reforma që e afrojnë me BE-në dhe për t’i bindur shtetet anëtare që t’ia japin statusin e vendit kandidat.

Osmani gjithashtu pati thënë se me disa nga këto shtete mosnjohëse tashmë ka një nivel të lartë të bashkëpunimit ekonomik, njohjes së dokumenteve, turizmit, kulturës, që do të thotë se ajo që ka mbetur është njohja formale.

Për më tepër, ajo kishte takuar kryeministrin e Sllovakisë në Pragë në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Europian gjatë 2022-ës.

Arsyeja pse Sllovakia refuzoi të njohë Kosovën si shtet ishte për shkak të drojës se mund të ketë mosmarrëveshjeve të brendshme. Njohja e Kosovës mund të krijojë një precedent për pakicën hungareze në Sllovakinë jugore. Bratislava ka frikë se çdo njohje e pavarësisë së Kosovës mund të nxisë minoritetin hungarez të kërkojë një autonomi më të gjerë.

Të ngjashme