Përzgjedhësi i Sllovenisë, Matjazh Kek, ka ndërruar sulmuesin për ndeshjen me Kosovën dhe atë kundër Moldavisë, që zhvillohen në kuadër të Ligës së Kombeve. Sllovenia i luan ndeshjet të dielën në Prishtinë dhe të mërkurën në Chisinau.
Mediumet sllovene kanë njoftuar të premten se sulmuesi Andrazh Shporar është larguar dhe vendin e tij e ka zënë Lovro Bizhjak, i cili është pjesë e ekipit nga Rusia. Ufa. Shporar është larguar nga grumbullimi i ekipit për shkak të problemeve me diafragmën dhe për këtë arsye është zëvendësuar me Bizhjakun. Madje Shporar nuk u aktivizua as në miqësoren që Sllovenia e fitoi 4:0 të mërkurën mbrëma ndaj Përfaqësueses së San Marinos, transmeton KOHA.
Sllovenia të dielën do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve, dhe përzgjedhësi Kek ka paralajmëruar se udhëtojnë për rezultat pozitiv. Bizhjak ka gjasa që të jetë titullar te Sllovenia ndaj Kosovës.
“Kemi paksa telashe në repartin ofensiv për shkak se sulmuesit nuk kanë luajtur një kohë të gjatë. Por, me ardhjen e Bizhjakut mendoj se jemi të kompletuar për dy ndeshjet që na presin në kuadër të Ligës së Kombeve”, është shprehur Kek.
Në fakt, Kek ka pranuar se Kosova do të jetë dukshëm një kundërshtar më i fortë dhe më i vështirë sesa San Marino. Ai ka analizuar ndeshjen e Kosovës, të cilën e humbi të enjten mbrëma në Shkup kundër Maqedonisë së Veriut dhe ka insistuar se pas kësaj humbjeje “dardanët” do të përpiqen të kthehen te rezultatet pozitive.
“Kosova sipas të gjitha gjasave e ka shansin e fundit për të fituar në shtëpi këtë edicion në Ligës së Kombeve pas humbjes nga Greqia dhe barazimit me Moldavinë. Por, vendosmëria dhe vetëbesimi ynë do të jetë i rëndësishëm. Do të luajmë në një fushë të vështirë, por synimi është të japim më të mirën për të marrë pikët. Është më se e qartë që ne nuk do të presim vetëm në zonën tonë, por do të sulmojmë që nga fillimi”, ka shtuar Kek. “Nuk kemi një sulmues klasik dhe është dashur të bënim një ndryshim para këtyre ndeshjeve”.
Edhe qendërmbrojtësi Nemanja Mitroviq që shënoi dy gola në fitoren ndaj San Marinos, e ka vlerësuar lart Kosovën.