Sociologia Ymeri: Qytetarët duhet të protestojnë kur preket mirëqenia e tyre

Prishtinë | 26 Jan 2022 | 18:14 | Nga Ekonomia Online

Sociologia Flakë Ymeri vlerëson se qytetarët duhet të protestojnë sa herë që preket mirëqenia e tyre.

“Kur sot protestohej për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, kam pritur që të jetë një numër më i madh i protestuesve. Protesta është një mjet demokratik, që duhet ta ushtrojë secili person që të reagojë për rritjen e çmimit të energjisë dhe çështje tjera kur preket mirëqenia e tyre”.

Ymeri, në “Info Magazine”, deklaroi se qytetarët në vazhdimësi kanë parë mosrezultate nga protestat, për atë tashmë qytetarët përdorin rrjetet sociale për të kundërshtuar çështje të caktuara.

“Duhet të ketë reagime edhe në rrugë e rrjete sociale. Por, duhet të ketë plane afatgjate për rregullimin e çështjeve, ndaj të cilave duhet reagim. Qytetarët shpeshherë e kanë parë që kanë humbur kohë me protesta, pasi nuk ka pasur ndonjë rezultat e besoj që këtë po e shfrytëzojnë nëpër rrjete sociale e jo më në protesta”, tha Ymeri.

Sociologia mes tjerash thotë se ngritja e çmimit të energjisë e edhe çështje të tjera ndikojnë në mirëqenien mentale të qytetarëve.

“Është e vështirë që në situata të tilla të mos kundërshtojnë vendime të tilla, pasi përveç mirëqenies ekonomike, i prek edhe në mirëqenien mentale. Çështje të tilla po krijojnë edhe probleme bazike në psikikën e tyre dhe familjes. Nuk duhet të pajtohemi me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, por duhet të pranojmë se kjo është krizë globale dhe këtë mund ta përballojmë duke shpenzuar më pak dhe jo vetëm që të pajtohemi. Institucionet duhet të punojnë më shumë në hartime strategjike nga ekspertët që të analizojnë rezultatet dhe të përgatitë qytetarët e jo vetëm që të pajtohen me çdo gjë që bëhet”, tha Ymeri.

Të ngjashme