Anëtari i PDK-së, Sokol Bashota, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook i ka komentuar deklaratat e kreut të Nismas, Fatmir Limajt, për të cilin tha se këto deklarata janë të turpshme.
Ai gjithashtu tha se nuk mundesh me qenë me çlirimtarët dhe ta fyesh PDK-në.
Tutje, Bashota tha për Limajn se me këtë qasje do të mbetet pa e kaluar pragun, por edhe pa nder.
Gjithashtu, Bashota tha se duke sulmuar ish-partinë e tij, Limaj nuk do të marrë asnjë votë të ushtarëve e patriotëve.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:
Deklaratat e fundit të Fatmir Limajt kundër Partisë Demokratike të Kosovës janë të turpshme.
Nuk mundesh me qenë edhe me çlirimtarët e UÇK-në, edhe me e sha PDK-në. Sepse, UÇK-ja është PDK-ja.
Me këtë qasje, dy gjëra i ka të sigurta Fatmir Limaj: Do të mbetet edhe pa e kaluar pragun, edhe pa nder.
Duke e sulmuar PDK-në, ai nuk do ta marrë kurrë asnjë votë të ushtarëve e patriotëve.
Partia Demokratike e Kosovës, si partia e vetme e krijuar mbi vlerat e luftës dhe pasardhëse e UÇK-së, është duke marrë një mbështetje jashtëzakonisht të madhe nga patriotët, atdhetarët dhe profesionistët, të cilët, përmes PDK-së, dëshirojnë ta mbrojnë luftën e drejtë të UÇK-së. Janë pikërisht ish ushtarët e UÇK-së, që sot më shumë se asnjëherë, janë mbledhur rreth PDK-së për ta realizuar rimëkëmbjen kombëtare.
ADN-ja e PDK-së është UÇK-ja. UÇK-ja është e shtrirë kudo ku është e shtrirë PDK, prej Këshillit Drejtues, Kryesisë, Degëve e Nëndegëve, në tërë Kosovën, si patriotë e profesionistë, si vlerë qytetare dhe kombëtare.
E sa për “respektin” e Fatmir Limajt për ushtarët e UÇK-së, e ka treguar më së miri pushteti i tij lokal në Malishevë, kur i diferencoi dhe i përjashtoi pjesëtarët e UÇK-së veç pse ata ishin në PDK.
Prandaj, “kauza” e tij e sotme për gjoja mbrojtjen e vlerave të UÇK-së është vetëm farsë dhe mjet për t’u përpjekur ta shpëtojë fundin e tij politik. Asgjë tjetër.