Ish-përfaqësuesi i lartë për Politika të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Javier Solana, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i përdor lidhjet me Rusinë dhe me Kinën kundër Republikës së Kosovës. Ai ka theksuar se Vuçiq, përkundër afrimit me Bashkimin Evropian, nuk ka shfaqur kurrfarë gatishmërie për t’u distancuar nga Rusia, teksa vendi i tij po ashtu po vazhdon të tërheqë investime të majme nga Kina. Që të dy vendet, edhe Rusia, edhe Kina, refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës.
Solana, ish-sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ka kujtuar, në një shkrim autorial të botuar nga Project Syndicate, se si “gjatë një vizite në Beograd më 2014, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaronte se ‘Rusia, ashtu si në të kaluarën, do të vazhdojë ta shohë Serbinë si aleatin më të ngushtë’”.
Përveç lidhjeve të moçme kulturore me Rusinë, ka theksuar Solana, Serbia varet nga Rusia për furnizim me energji, si dhe llogarit në fuqinë e saj për veto si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. “Për aq kohë sa Serbia shihet me sy të mirë nga Rusia, ajo mund ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, shkruan Solana, aktualisht shef i Qendrës ESADE për Ekonomi Globale dhe Gjeopolitika.
Sikurse Jugosllavia e Josip Broz Titos dikur, edhe Serbia e sotme zyrtarisht deklarohet si shtet neutral, thekson Solana.
“Ajo bashkëpunon ngushtë me NATO’n, nëpërmjet Partneritetit për Paqe, përderisa në të njëjtën kohë organizon manovra ushtarake me ushtrinë ruse. E, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përderisa pohon të jetë qartas në favor të integrimit evropian, nuk ka shfaqur kurrfarë gatishmërie për t’u distancuar nga Rusia”, ka shkruar Solana, dikur ministër i Jashtëm i Spanjës.
Përveç Rusisë, edhe Kina refuzon njohjen e Kosovës, kujton ai. “Kina ka treguar muskujt e saj ekonomikë, duke investuar miliona dollarë në projekte të infrastrukturës në Serbi, dhe në pjesë të tjera të rajonit”, ka shkruar Solana.