Santiago Solari tani është edhe zyrtarisht trajner i ri i Real Madridit, duke i dhënë fund periudhës së tij si trajner i përkohshëm.
Argjentinasi u emërua trajner i përkohshëm para dy jave. Pas kësaj klubit iu desh të vendoste për të ardhmen e tij dhe tani e ka bërë pikërisht këtë, pas katër fitoreve nga katër ndeshje deri tani, transmeton Gazeta Express.
ESPN-ja raportoi fillimisht se pas fitores së Madridit mbrëmë ndaj Celta Vigos, se drejtuesit e klubit e dërguan kontratën e re të Solarit në Federatën e Futbollit të Spanjës dhe e përditshmja spanjolle “MARCA” e ka konfirmuar këtë sot.
Solari e ka merituar të vazhdojë ta drejtojë skuadrën, pasi në katër ndeshjet e para, e ka mposhtur Melillën, Real Valladolidin, Viktoria Plzenin dhe Celta Vigon, edhe pse është e vërtetë që klubi e kishte marrë vendimin para ndeshjes të dielën mbrëma.
Nën drejtimin e Solarit, Madridi i ka fituar katër ndeshje, nuk e ka humbur asnjë dhe i ka shënuar 15 gola, ndërsa i ka pranuar vetëm dy.