Gazetarja e njohur, Sonila Meço, thotë se taksa progresive është duke bërë që shqiptarët të “zhyten” në varfëri.
Në një status në rrjetin social “Facebook”, Meço nënvizon se sipas një raporti të përgatitur nga ana e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (PNUD), gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit më 2008, kaluan në grupin e atyre në nevojë dhe në varfëri në vitin 2014. “Ndërkohë që, 17% e familjeve me tendencë drejt varfërisë, u bënë të varfër në 2014. Me fjalë të thjeshta, kush qe buzë greminës e shtynë brenda, kush qe larg e morën me zulm të madh drejt honit”, shkruan ajo.
Shkrimi i plotë:
Për të mos bërë pyetje idiote, për të mos u akuzuar si zëth kazani, për të kuptuar se ç’mendje ka ky pushtet deri në ezaurimin e plotë të klasës së mesme, në ndihmë kam thirrur një raport të PNUD Albania, publikuar së fundmi. Ai ka analizuar mënyrën sesi ka ndryshuar varfëria në vend, kush ka hyrë dhe ka dalë nga kjo kategori dhe se sa efikas ka qenë taksimi mbi të ardhurat, i cili ndryshoi në fund të vitit 2013, duke kaluar në sistemin progresiv.
Sipas raportit, gjysma e familjeve që i përkisnin klasës së mesme në kategorinë e konsumit më 2008, kaluan në grupin e atyre në nevojë dhe në varfëri në vitin 2014. Ndërkohë që, 17% e familjeve me tendencë drejt varfërisë, u bënë të varfër në 2014. Me fjalë të thjeshta, kush qe buzë greminës e shtynë brenda, kush qe larg e morën me zulm të madh drejt honit.
Vetëm nga përdorimi i taksës progresive. Dhe qeveria ka vendosur që nga 1 janari të shtrijë progresivitetin edhe më tej, ku çdo e ardhur, pavarësisht nga vjen (pra jo vetëm paga) do të llogaritet si një e tërë për një periudhë tatimore dhe do t’i zbatohet norma.
Pra jo mend që s’vuri kjo qeveri, por po e kthen në prioritet varfërimin. Se mund të thotë dikush ‘fakenews!’…mundet edhe PNUD-i të shpallet në kategori kazani, por ja ta sqarojmë nga burimi i kulluar i Ministrisë së Financave se sa efikasitet ka patur vetëm për këtë vit zbatimi i taksës progresive mbi të ardhurat: Sipas saj, të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale, rezultuan 3,7% më pak se plani në 9-mujorin e këtij viti. Ua thonë shpesh këtë gjë? E dinit? E dëgjoni si refren në çdo talk show politik, ekonomiko-social? Nuk di ç’mund të shqetësojë më shumë se varfëria edhe mendjen më top se nuk mund t’i trokasë kurrë në derë…