Konzola e ardhshme e kompanisë Sony do të quhet edhe zyrtarisht PlayStation 5, pa emra dhe shtojca kodues (ose PS5 për ata që i pëlqejnë shkurtesat), raporton overclock3d.
Sony tani ka publikuar më shumë informacione në lidhje me konzolën e vet të gjeneratës së ardhshme, duke konfirmuar se pajisja do të përdorë procesor AMD Zen, kartelë grafike Radeon Navi dhe do të ketë mbështetje për raytracing harduerik-akcelerik.
Kur bëhet fjalë për kontrollorët, PlayStation 5 do të ketë dizajn të ri, ndërsa përdoruesve do t’u ofrohet reagueshmëri haptike, shkrehës i personalizueshëm, bateri më e madhe dhe mbështetje për USB Type-C, shkruan KOHA Ditore. Me konzolën PS5, Sony planifikon t’i rregullojë të gjitha problemet që i kishte DualShock 4, por edhe t’u mundësojë përdoruesve funksione të reja.
Falë shtimit të SSD-së, PlayStation 5 do t’u ofrojë përdoruesve kohë më të shpejtë të startimit të lojërave dhe potencialisht do të mundësojë që lojërat të zënë më pak hapësirë. Përveç kësaj, PlayStation 5 do t’ua mundësojë përdoruesve të instalojnë seksione specifike të lojërave veç e veç.
Lojërat fizike për PlayStation 5 do të përdorin disqe optike 100 GB, duke e bërë sistemin kompatibil edhe për filmat 4K Blu-ray. Instalimi i lojërave do të jetë i obligueshëm, pasi që playerët optikë të disqeve nuk mund të krahasohen me performancën I/O të SSD-ve.
Pritet që Sony PlayStation 5 të jetë një konzolë revolucionare, e cila do t’u sigurojë raytracing përdoruesve mainstream, me azhurnime të mëdha për CPU, GPU dhe hapësirë për ruajtje në krahasim me paraardhësit e saj.