Ndërkohë që e gjithë bota është mbërthyer nga ethet e një fronti të ri lufte në Ukrainë, sot ushtarakët shqiptarë kujtojnë ndarjen nga jeta në krye të detyrës të Kapiten Feti Voglit.
Misionet ushtarake të Shqipërisë në Afganistan janë të lara edhe me gjak shqiptar. Ishte 20 Shkurti 2012. Komandanti i grupit Feti Vogli kishte marrë një detyrë nga komanda amerikane për të shoqëruar një zyrtare amerikane në vizitën e saj në një spital dhe një shkollë.
Pjesë e skuadrës ishte edhe një ushtarak afganas i cili hapi zjarr me mitroloz në drejtim të Feti Voglit i cili nuk i mbijetoi plagëve.
Ndërsa ushtaraku tjetër Aleksandër Peci dhe një koleg amerikan mbetën të plagosur. Rezultoi se agresori ishte një prej shumë të infiltruarve nga Talebanët në ushtrinë e Afganistanit.
Në një bisedë telefonike me gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, Aleksandër Peci në kujtim të Komandant Feti Voglit tha:
“Ai ishte një vëlla për ne. Ishte komandant shumë i përkushtuar dhe një djalë i pa zëvendësueshëm. Një lider i vërtetë një oficer shumë i përgatitur. Për ne ka qenë humbja e parë në Afganistan dhe një humbje shumë e madhe për të gjithë ne si kontigjent EGLA 4 dhe për të gjithë repartin e forcave speciale. Do të jetë gjithmonë në kujtimin dhe memorien time sa të jem në këtë jetë. Lavdi për jetë vepra dhe kujtimi i KOMANDANT FETI VOGLIT” u shpreh Aleksandër Peci.
Në Gusht të vitit të kaluar në të parën intervistë televizive për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, Aleksandër Peci tregoi me detaje momentin e vrasjes të Kapitet Feti Voglit Dëshmor i Atdheut.
Aleksandri kështu e tregoi ngjarjen makabre të humbjes së kolegut të tij.
“Ka qenë data 20 Shkurt dhe atë ditë ishte inagurimi një shkolle që kishte shumë e shumë vite e mbyllur. Ne na u ngarkua sigurimi një zonjë e cila kishte ardhur nga Amerika për të parë investimet e kësaj shkolle si dhe të spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Përpara se të shkonim në atë shkollë kemi hapur edhe një qendër shëndetësore. Më pas shkuam tek shkolla. Ishim një grup i batalionit special i përbërë nga 12 vetë dhe ne kishim detyrë kryesore sigurinë fizike të zonjës.
Jashtë kemi qenë unë, komandant Fetiu dhe kolegu amerikan Michael Trost si dhe një tjetër koleg shqiptarë Ylber Dajlani. Ne po merreshim me sigurimin e pjesës së përparme të shkollës. Pas nesh ishte makina e policisë ku ndodhej një polic afgan i cili na goditi nga pas. Nuk e prisnim një gjë të tillë të na ndodhte nga policia. Nuk kishte ndodhur më parë. Jemi gjendur nën breshëri. Në momentet kur kemi marrë plumbat e parë ramë në tokë. Kam parë komandant Fetiun rëndë në të djathtë në tokë dhe plumbat e kishin marrë në venat kryesore të qafës nga ku po i dilte shumë gjak. Në krahun tjetër ishte amerikani Michael Trost që kishte marrë një plumb në dorë dhe kishte humbur dy gishtërinj sikurse kishte marrë plumba edhe në këmbë e nisi të bërtiste.
Atë moment kam vajtur tek komandanti i ndjerë Fetiu, duke u munduar t’i jap sadopak ndihmë. Kam pyetur kolegun amerikan si ndjehej. Atë moment më doli gjak se kisha marrë një plumb në fytyrë. Nisi dalja e gjakut nga goja. Nën antiplumb kisha një paketë të ndihmës së shpejtë nga ku nxora fashon për t’i dhënë vetes ndihmën e parë e ndaluar sadopak gjakderdhjen në qafë. Atë moment kanë dalë edhe pjesëtar të tjerë të grupit duke neutralizuar dhe kapën policin. Nuk mund t’i qëllosh pasi është dorëzuar. Është ligji i luftës dhe nuk mund ta vrasësh.
Na erdhën në ndihmë djemtë e repartit tonë dhe asistentë të tjerë për të na mbajtur sadopak. Kemi qëndruar atje 25-30 minuta deri sa erdhi helikopteri për të na marrë mua, Michael dhe komandant Fetiun. Gjatë të gjithë kohës ekipi mjekësor i helikopterit po mundohej përmes goditje të elektro-shock të mbante në jetë komandant Feti Voglin por ishte e pamundur shpëtimi i tij deri në spital. Ka qenë një ditë e vështirë shumë e errët për ne se ishte humbja e parë pasi ishte komandanti i grupit. Një prej djemve më të përgatitur që ka patur reparti jonë. Një djalë dhe familjar shumë i mirë. Por lufta i ka këto dhe ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Duhet të përballemi më gjithçka.“.