Sot filluan punimet e Grupit Punues për Plotësim-ndryshimin e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Prishtinë | 22 Pri 2022 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Në këtë takim të parë të këtij grupi punues, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pranë përfaqësueseve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, partnerëve ndërkombëtarë dhe përfaqësueseve të shoqërisë civile, trajtoi rëndësinë që ka plotësim-ndryshimi i këtij ligji, duke marrë shkas nga mangësitë të cilat janë shpërfaqur deri tani në këtë drejtim, përkitazi me ligjin aktual.

Përgjegjësia, disiplina dhe llogaridhënia e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërlidhet me këtë ligj i cili synohet të hartohet me standardet më të mira për të prodhuar edhe efikasitet të plotë në këto qëllime.

Ministrja Haxhiu theksoi para të pranishmëve se, arsyeja e fillimit të ndryshimeve të tilla është identifikimi i shumë problemeve të ligjit ekzistues dhe gjithashtu, nevoja për të pasur legjislacion të kompletuar i cili do të rregullonte profesionalisht procedurat të cilat kanë të bëjnë me përgjegjësinë dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre.

Përpos kësaj, ky proces i ndryshimit të ligjit gjenë bazën në Raportin e Kuvendit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Ligjit i cili rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e ligjit.

Bazuar në gjetjet e raporteve të shumta vendore, janë evidentuar disa probleme me ligjin ekzistues, filluar nga ato teknike, deri të problemet më përmbajtjesore si: sqarimi i përkufizimeve të përdorura në ligj, përmbajtja e ankesës ndaj gjyqtarit dhe prokurorit, çështjet lidhur me masat disiplinore dhe pasojat e shqiptimit të tyre, aplikimi i mjeteve juridike dhe probleme të tjera të evidentuara.

Plotësim-ndryshimi i këtij ligji u konsiderua si pjesë e rëndësishme në kuadër të reformave në sistemin e drejtësisë nga i cili pritet të përgatitet me profesionalizëm, dhe të sjellë rezultate konkrete.

Të ngjashme