Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot takim në orën 08:00, për të diskutuar kërkesën për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, ku do të mbahet debat parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Partitë opozitare LDK, Vetëvendosje dhe PSD kanë dorëzuar javën e kaluar kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme më 4 shtator. Në këtë seancë pritet të miratohet rezoluta, e cila ia ndalon presidentit Thaçi të bisedojë me Serbinë për territor.
Tri partitë opozitare, kanë iniciuar mbajtjen e kësaj seance pas deklaratave të presidentit për korrigjim të kufijve.
Rezoluta, e cila pritet të prezantohet në këtë seancë, ka vetëm një pikë: “Që askush nuk ka të drejtë ta negociojë dhe cenojë territorin e Kosovës”.