Sot nga ora 09:30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të nisë rigjykimi në rastin e Endrit Nikës.
Të njëjtin, Gjykata Themelore e kishte dënuar me 18 vjet burg për veprën penale “vrasje e rëndë” ndaj partneres së tij, Maria Clara Urdangaray.
Në fund të gushti të vitit të kaluar, “MAT” në Klan Kosova kishte realizuar një emision hulumtues, ku ndër të tjera, për herë të parë u paraqitën për publikun pamjet e kamerave nga vendi i ngjarjes dhe shume detaje të tjera rreth rastit.
Sipas dokumentarit, Maria Clara Urdangaray vdiq rreth orës 04:27 të mëngjesit të 1 gushtit të vitit 2023, rreth tre orë pasi kishte rënë nga dritarja e katit të gjashtë në hotelin “Sonoma” në Fushë Kosovë, aty ku po qëndronte me të dashurin e saj, Endrit Nikën.
Sipas akuzës, gjatë goditjeve dhe shtyrjeve, e dëmtuara u dërgua në qoshe të dhomës, nga ku më nuk kishte ku të largohej, derisa korniza e dritares u shkëput dhe ajo u hodh jashtë.
Vetë Nika e kishte mohuar ta ketë prekur me dorë, duke ofruar një version tjetër për ngjarjen. Ekspertiza e kornizës së dritares u krye vetëm pas një viti e gjysmë, në një kohë kur pronari i hotelit kishte vendosur tashmë një kornizë të re me tre shtresa xhami, duke ndryshuar strukturën fillestare.