Mandatari për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, sot pritet të prezantojë përbërjen e qeverisë që do të udhëheq.
Politikani shqiptar nga Ulqini, Dritan Abazoviq, pritet të marrë postin e zv.kryeministrit, ka shkruar të premten gazeta “Vijesti”.
Qeveria pritet të votohet në seancën e caktuar për 2 dhjetor.
Sipas mandatarit për kryeministër, Krivikapiq, qeveria e re do të ketë për një të tretën më pak resorë.
Qeveria e Malit të Zi pritet të udhëhiqet nga opozita e deritashme. Në zgjedhjet e fundgushtit, partia e presidentit Milo Gjukanoviq (DPS), doli e para, por koalicioni i gjerë opozitar mblodhi 41 vota, të mjaftueshme për të formuar qeverinë.
Lëvizja që udhëhiqet nga Abazoviqi, URA, në përbërjen e re të Kuvendit të Malit të Zi ka katër deputetë.