Numërimi i votave me kusht, me postë dhe atyre të personave me nevoja të veçanta për komunën e Istogut pritet të përfundojë sot.
Kështu ka thënë për Telegrafin, anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, Binak Vishaj.
“Besoj që sot fillojmë me numërimin e votave me kusht, dhe besoj që shpejt kryhen sepse janë 510 vota me postë me kusht dhe personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Vishaj.
Komuna e Istogut gjatë ditës së djeshme ka votuar për të tretën herë më radhë për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00, KQZ-ja publikoi menjëherë rezultatet preliminare, rezultate këto të cilat nxjerrën fitues kandidatin e AAK-së, Gani Dreshaj me 10 mijë e 241 vota apo 50.1%, duke lënë mbrapa Haki Ruogvën e LDK-së me 10 mijë e 189 vota apo 49.9%.
E pas publikimit të këtyre rezultateve, zyrtarë të LDK-së deklaruan se KQZ ka bërë dy gabime gjatë numërimit të votave në Dubravë dhe Llukavc të Begut, duke pretenduar se kandidati i tyre Haki Rugova është me 55 vota në epërsi ndaj Gani Dreshajt të AAK-së.
Rreth këtyre pretendimeve të LDK-së, Vishaj theksoi se rezultatet e publikuara nga KQZ janë vetëm preliminare dhe nuk janë zyrtare.
“Ai është rezultat preliminar dhe rezultati zyrtarë del vetëm pas numërimit të votave me kusht, me postë dhe personave me nevoja të veçanta”, theksoi Vishaj.
Ai shtoi se është duke u punuar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, dhe se tashmë është procesuar materiali zgjedhor i cili ka filluar të skanohet.