Sot pritet të shpallet aktgjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt: Babai i viktimës kërkon përjashtimin e trupit gjykues në trajtimin e rastit

Prishtinë | 19 Mar 2021 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Babai i të ndjerit Agonis Tetaj, Isuf Tetaj ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues në trajtimin e rastit ku djali i tij mbeti i vrarë në vendin e punës nga i akuzuari Shaban Gogaj.

Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Berat Tmava.

“Unë kam bërë parashtresë për tu rihap procedura, kurse babai i të ndjerit Agonis, më ka thënë që ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues”, tha avokati Tmava .

Ndryshe, sot pritet që Gjykata Themelore në Pejë të shpallë aktgjykimin për rastin ku Shaban Gogaj po akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj, në shtatorin e vitit 2018, në kompaninë “Gogaj Ag”.

Gogaj po akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ashtu sikurse edhe i pandehuri Isuf Cacaj.

Pas rikualifikimit të veprës penale nga prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Agron Uka, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, i akuzuari Shaban Gogaj, në seancën e 16 marsit, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, mori vendimin për aprovimin e pranimit të fajësisë, kurse shpalljen e aktgjykimit e caktoi për sot, në ora 14:30.

Ndryshe, këtë çështje penale e përfaqëson Prokuroria e Gjilanit, pasi kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti, kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 12 qershor 2019, e të ricilësuar më 16 mars 2021, e akuzon të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.

Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karrigen tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të : Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra, dhe nga kjo shkrepje, e godet tani të ndjerin Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i njëjti kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty, i njëjti këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur të mbijetoj plagës.

Me çka ka kryer vepër penale “Vrasje nga Pakujdesia, nga neni 181 të KPRK-së.

Përveç kësaj, i pandehuri Gogaj akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtje pa leje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme