Në Gjykatën Themelore të Gjakovës-dega në Malishevë, sot mbahet seanca fillestare ndaj ministrave Dardan Gashi dhe Endrit Shala, si dhe Sami Lushtakut për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke shtënë me armë.
“Për shkak të interesimit të vazhdueshëm të mediave për lëndën P.nr.197/2018, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka caktuar seancën fillestare ndaj të akuzuarve E.SH., D.G., etj për vepër penale të ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’ nga neni 374 paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Seanca në fjalë do të mbahet ditën e hanë, datë 11 shkurt 2019 në degën e Malishevës”, thuhet në kumtesë.
Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë më 16 maj të vitit të kaluar për vepër penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Gashi, Lushtaku dhe Shala akuzohen për posedim të paautorizuar të armëve, pasi ishin parë në një video teksa gjatë një feste në odën e Fatmir Limajt kanë gjuajtur me armë.