Në çdo 26 janar shënohet Dita Botërore e Edukimit Mjedisor. Kjo datë e ka origjinën nga viti 1972, kur në Stokholm të Suedisë u mbajt Konferenca e Kombeve të Bashkuara për mjedisin jetësor. Në Deklaratën e nxjerrë nga kjo konferencë përshkruhej nevoja për kriteret dhe parimet e përbashkëta për t’i ofruar njerëzimit frymëzimin dhe udhëzimin botëror për ruajtjen dhe përmirësimin e mjedisit.
Konferenca iu bëri thirrje qeverive dhe popujve që të punojnë së bashku, për të ruajtur dhe përmirësuar mjedisin, për të mirën e njeriut dhe pasardhësve të tij.
Objektivi kryesor i edukimit mjedisor është për të krijuar vetëdije te njerëzit dhe veçanërisht te qeveritë, për nevojën e pjesëmarrjes për të ruajtur dhe për të mbrojtur mjedisin.
Një datë e këtillë ndoshta do të duhet të përsëritet çdo ditë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së njeriut, se vetëm me ambient të pastër e të shëndoshë jetësor mund të garantohet jeta cilësore dhe e sigurt.
Edukimi mjedisor është një proces dinamik dhe pjesëmarrës, që kërkon të zgjojë tek njerëzit një ndërgjegjësim mbi problemet mjedisore të identifikuara në nivel të përgjithshëm dhe të veçantë.
Edukimi mjedisor, gjithashtu, kërkon të identifikojë marrëdhëniet dhe pavarësinë e ndërveprimeve që ndodhin në mes të mjedisit dhe njeriut, me synimin për të promovuar një marrëdhënie harmonike midis aktiviteteve natyrore dhe njerëzore përmes zhvillimit të qëndrueshëm, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë dhe cilësisë së gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme.
Edukimi ambiental në çdo nivel dhe në çdo sferë të jetës, duke ia drejtuar secilit njeri, qoftë i mitur apo i rritur, mashkull ose femër, i varfër apo i pasur, akademik apo bujk, politikan ose veprimtar i shoqërisë civile, etj… nuk duhet ndërprerë kurrë.
Eduko, eduko, eduko…
(Autori është ambientalist)