Sot takohen Kurti e Krasniqi, në tavolinë dy tema

Prishtinë | 13 Maj 2024 | 07:25 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti do të presë të hënën në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i vetmi nga tre liderët opozitar që e ka pranuar ftesën e shefit të ekzekutivit.

Sipas Kurtit, në këtë takim pritet të diskutohet rreth agjendës legjislative, ndërsa sipas Krasniqit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Njohësit e rrethanave politike kërkojnë unitet për çështjet që prekin interesin e shtetit.

Përballë njëri-tjetrit, në të njëjtën tavolinë, si rrallëherë të hënën do të ulen kryeministri Albin Kurti dhe Memli Krasniqi, kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend.

Shefi i ekzekutivit, përmes këtij takimi të ftuar nga vetë ai, do të synojë të shtyjë para agjendën e legjislativit, derisa i pari i PDK-së caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Takimi po konsiderohet si i rëndësishëm, edhe pse sipas njohësve të fushës, s’priten rezultate nga ai.

Sipas tyre, kryeministri Kurti është dashur të thërrasë opozitën në takim për të diskutuar rreth çështjeve të tjera shumë më të rëndësishme, si ajo e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Artan Muhaxhiri, njohës i politikës e konsideron të nevojshme një takim të përbashkët të spektrit politik, ku do të skutohet për çështje më të rëndësishme se sa agjenda legjislative.

Ndërsa analisti Fidan Ukaj, thotë se gjatë këtij takimi do të diskutohen edhe tema të tjera, përfshirë këtu edhe Asociacioni.

Monitorues të punës së Kuvendit thonë se uniteti pozitë-opozitë është shumë i nevojshëm për ta shtyrë përpara agjendën legjislative.

Sipas Tringa Dreshaj, hulumtuese në KDI, ka pasur një rënie e dukshme e punës në Kuvend, prandaj edhe kukohet koordinim dhe bashkëveprim në agjendën legjislative.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë refuzuar ftesën e Kurtit për takim.

Të ngjashme