Gjatë ditës së sotme mbetet që Gjykata e Hagës të konfirmojë aktgjykimin apo të tërheqë atë lidhur me nacionalistin serb, Vojisllav Sheshel.
Sheshel akuzohet për kryerjen e krimeve kundër joserbëve në Kroaci, në rajonin serb të Vojvodinës, në Bosnje dhe Hercegovinë, në luftërat e viteve 1990.
Sheshel kishte arritur që të lirohej nga akuzat në mars të vitit 2016, përderisa tani ka kundërshtuar që të jetë i pranishëm në gjykim kështu duke u përfaqësuar nga avokati mbrojtës, transmeton Indeksonline.
“Nuk shkoj dhe nuk lidhem përmes videos. Nuk dua as ta shoh. Nuk kam kohë dhe nuk më intereson fare. Aktgjykimi do të më dërgohet me letër dhe asgjë tjetër nuk më intereson”, ka thënë Sheshel.
Sipas tij Tribunali nuk mund ta kundërshtojë atë që ka vendosur më parë.
Prokurorët më parë kanë kërkuar nga Gjykata ta shpallin Sheshlin fajtor mbi tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjashtë akuza për shkelje të ligjeve të luftës dhe ta dënojnë atë me 28 vjet burgim, ose të urdhërojnë gjykim të ri.
Krimet e dyshuara përfshijnë përndjekjet në baza politike, racore ose fetare, dëbimet, vrasjet dhe torturat.