Ish-amabasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka komentuar letrën e Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Spahiu në Info Magazine tha se Biden në këtë letër rikonfirmon mbështetjen e SHBA-ve karshi Kosovës dhe thekson se do t’i qëndrojnë krah Kosovës në çdo hap të procesit të dialogut.
“Është shumë e rëndësishme që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe njëherë rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve për Kosovën. Kjo nuk është hera e parë që presidenti Biden e bën këtë pasi në disa raste ai ka theksuar partneritetin dhe miqësinë siç e thekson edhe në letrën e fundit si dhe është shumë inkurajues fakti se në letrën e tij ai po ashtu thekson se gjatë procesit të dialogut në çdo hap të këtij procesi Washingtoni do të jetë bashkë me Kosovën”.
Ish-ambasadori foli konkretisht edhe për pikat që përmban letra duke u foksuar më shumë tek dialogu, ku tha se mund të ketë kompromise nga të dyja palët.
“Në letër ka disa pika të rëndësishme duke përfshirë edhe ndihmën sa i përket sigurimit të vaksinave kundër COVID-19 – që është një lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën në këtë situatë që edhe njëherë dëshmon faktin se diplomacia jonë ka mundur të luaj një rol më të madh në sigurimin e vaksinave”.
“Çështja e dialogut përmendet sërish edhe në këtë letër dhe në të thuhet se Shtetet e Bashkuara do të jenë bashkë me Kosovën në këtë proces – por se ky proces nuk do të jetë i lehtë siç edhe sugjerohet në letër dhe duhet pritur të ketë edhe kompromise”.
“Natyrisht se çfarë mendon presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me kompromise është relative në letër dhe nuk mund të themi se ka menduar këtë apo atë. Por, pjesëmarrja në një dialog të tillë politik do të thotë se duhet të ketë kompromise nga të dy palët”, u shpreh Spahiu.
Tutje Spahiu tha se pas kësaj letre çështja e ndryshimit të kufijve është jashtë konsiderate.
“Nuk dihet se për çfarë kompromise mund të bëhet fjalë, por, tani është e qartë se në këtë aspekt çështja e ndryshimit të kufijve tani është jashtë konsiderate dhe nuk mendoj se është menduar për këtë kompromis – pra ndarje të Kosovës as që vije në shprehje tani. Bile kjo as nuk ka qenë pjesë e tavolinës së bisedimeve por se për të është folur në kuluare se mund të jetë njëra nga opsionet”.