SPAL dhe Freiburg, janë këto dy skuadrat që interesohen për të fituar shërbimet e mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare Arlind Ajeti. Pas një sezoni jo shumë pozitiv te Torino, mbrojtësi 23-vjeçar është vënë në qendër të vëmendjes së disa skuadrave por dy destinacionet më të mundshme të momentit janë debutuesit e SPAL në Serie A dhe gjermanët e Freiburg që këtë sezon do të luajnë në Europa League.
Kontrtata e Ajetit me Torinon skadon në vitin 2019 por mesa duket, lojtari shqiptar nuk është më në planet e Sinisa Mihajlovic, i cili ka ndezur dritën jeshile për largimin e tij. Ajeti debutoi në Serie A dy sezone më parë me fanellën e Frosinones. Gjatë verës së shkuar ai u transferua te Torino me parametra zero. Gjatë sezonit të fundit, Ajeti u aktivizua vetëm 4 ndeshje me fanellën “Granata” ku shënoi edhe 1 gol.
Ajeti e ka fituar titullin në Zvicër plot 5 herë me fanellën e Baselit ku nisi karrierën si profesionist në vitin 2010. Transferimi i mundshëm i tij në Gjermani te Freiburgu mund të hapë një kapitull të ri në karrierën e lojtarit shqiptar i cili kërkon më shumë hapësira gjatë sezonit të ri.