Spalletti: Icardi mund të largohet, për Champions duhet eksperiencë

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 09:04 | Nga

Luciano Spalletti ka folur edhe njëherë për të ardhmen e Icardit, duke pranuar se nuk mund të garantojë qëndrimin e sulmuesit argjentinas te zikaltrit, edhe për sezonin e ardhshëm. Spalletti pranoi se do të donte të mbante akoma kapitenin, por ndërkohë theksoi se do të jetë shumë e vështirë që kjo të ndodhë.

“Për momentin dëshira e Icardit është të qëndrojë dhe e jona ta mbajmë gjatë këtu, pasi me të mund të bëjmë gjëra të mira,. Por ka disa skuadra, që në një moment të caktuar mund të ndërhyjnë në merkato, të paguajnë ato 110 milionë euro dhe e bëjnë të vetin. Gjithsesi, me aq shumë para, është e sigurt që do të gjejmë një zëvendësues, ndonëse vështirë të jetë në nivelin e Icardit”, u shpreh Spalletti.

Më pas tekniku foli edhe për finalen e Ligës së Kampionëve, duke pranuar se rikthimi i Interit në këtë kompeticion, do të kërkojë shumë investime.

“Mbrëmë ne pamë sesi mungesa e eksperiencës të bën të humbësh një trofe kaq të rëndësishëm. Sapo zbret në fushë në një ndeshje Championsi, direkt ndjen presionin që kanë sfida të tilla. Te Interi askush nuk është mësuar të luajë në të tilla nivele, ndaj kemi nevojë për 2-3 lojtarë që të jenë të aftë të marrin skuadrën “për dore” dhe të vendosin të vetëm fatin e një takimi”, tha Luciano Spalletti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme