Spanja eliminohet me penallti, Rusia në çerekfinale të Botërorit

Prishtinë | 01 Kor 2018 | 18:48 | Nga

Një tjetër emër i madh është eliminuar nga Kupa e Botës.

Është Kombëtarja e Rusisë që ka shkaktuar një shok të madh në Luzhniki, duke eliminuar Spanjën pas ekzekutimit të penalltive.

Koha e rregullt e ndeshjes dhe vazhdimet përfunduan 1:1, ndërsa pas ekzekutimit të penalltive, Rusia fitoi 4:3 për të siguruar kalimin në çerekfinale të botërorit.

Ashtu siç pritej, Spanja kishte dominimin që nga minutat e parë të ndeshjes, duke i vënë në presion vendasit e Rusisë.

Ky presion solli edhe golin e epërsisë për Spanjën, kur Ignashevich në minutën e 12’ shënoi autogol për 0-1.

Në fund të pjesës së parë, rusët arritën barazimin.

Ishte Pique që shkaktoi penallti duke luajtur me dorë në zonën e rreptësisë në minutën e 41’, dhe këtë penallti në gol e ktheu veterani Dzyuba.

Me rezultat 1:1 përfundoi pjesa e parë, e po ashtu edhe koha e rregullt e ndeshjes, pasi që gol nuk pati as në pjesën e dytë.

Kjo bëri që ndeshja të shkojë në vazhdime. Ndryshime në rezultat nuk pati as pas vazhdimeve, dhe penalltitë e përcaktuan fituesin.

Ishin vendasit rus që fituan serinë e penalltive me rezultat 4:3, për të kaluar në çerekfinale të Kupës së Botës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme